Universiteti “Fan S. Noli” nderoi me Certifikatë Mirënjohjeje z. Arnold Geiger, Themelues dhe President i Fonadacionit “Nehemiah Gateway Albania”.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello ndër të tjera vlerësoi kontributin e z. Geiger në bashkëpunimin me Universitetin tonë, si dhe mbështetjen e ofruar prej tij për ndërkombëtarizimin e Universitetit “Fan S. Noli”. Më pas, në shenjë mirënjohjeje nga personeli akademik dhe drejtuesit e Universitetit i dorëzoi atij Certifikatën e Mirënjohjes me këtë motivacion:
“Themelues i Fondacionit “Nehemiah Gateway Albania” me programe afatgjata në fushën sociale, humanitare dhe arsimore, si Shkolla “Nehemiah” dhe shkolla “Amaro Tan” për ndihmesat e veçanta në arsimimin e shtresave të pafavorizuara dhe në nevojë, për promovimin e arsimit cilësor parauniversitar, iniciues për ngritjen e Shkollës së Lartë “Nehemiah Gateway”, si dhe për bashkëpunimin e mbështetjen e ndërkombëtarizimit të Universitetit “Fan S. Noli”.
Prof. dr. Bardhyl Musai, përgjegjës i Departamentit të Menaxhimit në Universitetin “Nehemiah” bëri një paraqitje të detajuar të jetës dhe veprimtarisë së tij shumëdimensionale dhe shumëplanëshe, kryesisht në atë humanitare, altruiste dhe menaxheriale.
Presidenti i Fondacionit “Nehemiah” z. Arnold Geiger falënderoi Universitetin “Fan S. Noli” për këtë vlerësim, duke shprehur mirënjohjen dhe gatishmërinë për ta forcuar e zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin me Universitetin tonë. Gjithashtu, z. Geiger mbajti për të pranishmit leksionin e hapur me temë: “Ndikimi i vlerave në edukimin dhe zhvillimin ekonomik, bazuar në shembujt e “Nehemiah Gateway”.