AGROTURIZMI I FSHATRAVE TË BOSHATISURA
Nga Gentian Çala
Tashmë gjithkush e di sesi janë katandisur fshatrat tona, familjet që kanë mbetur në këto fshatra janë kryesisht të moshuarit dhe një pjesë e vogël e krahut të punës. Shkollat mbyllen për mungesë të nxënësve. Pemëtaria apo bujqësia edhe kur ka prodhim nuk ka punonjës për ti mbledhur. Prodhimet nuk mbrohen nga fatkeqësitë natyrore, kurse subvencionet nuk i sheh kush me sy.
Në këtë panoramë të situatës z.Rama vjen në Pogradec, ku administratën publike e shndërron në forum partiak me urdhër dhe u flet për agroturizimin. Investimet në bujqësi apo në agroturizëm, përveç disa iniciativa private, janë thuajse zero. Këto janë arritjet!
Fshatrat tona nuk kanë nevojë për fjalë të bukura, por për vepra z. Kryeministër. Ju folët për 100 fshatra, por fshatrat e Pogradecit të përfshira në këtë iniciativë i ke pa ujë, pa kanalizime dhe pa asnjë ndryshim në infrastrukturë (mos them që në këto vite gjendja është përkeqësuar në disa prej tyre).
Sot fshati, bujqësia, agroturizmi kanë nevojë për vëmendjen e qeverisë dhe jo për fjalë boshe, pasi fshati po vdes nga plakja dhe braktisja.
Fshati dhe bujqësia po vdesin ngadalë dhe kanë nevojë për ndërhyrje thelbësore dhe jo për “kozmetikën” e fjalëve të tejzgjatura me të cilën mundoheni të bindni qytetarët.