Ka ulur siparin edicioni i 16-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, që për pesë ditë me radhë e ktheu Pogradecin në qendrën e kinemasë ballkanike. Mbi 60 filma nga vende të ndryshme të rajonit konkurruan në kategori të ndryshme, ndërsa juria shpërndau çmimet për krijimet më të vlerësuara të këtij edicioni.
Regjisori dhe organizatori Eno Milkani u shpreh se festivali vijon të sjellë çdo vit histori dhe produksione të ndryshme nga Ballkani, ndërsa këtë vit, sipas tij, u arrit një shpërndarje më e gjerë e çmimeve mes vendeve pjesëmarrëse.
Pas 16 vitesh organizim të pandërprerë, festivali vijon të mbetet një nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme të qytetit të Pogradecit. Producentja dhe organizatorja Gerta Qurku falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, kineastët dhe qytetarët që u bënë pjesë e këtij edicioni, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme që festivali ka marrë ndër vite.
Vlerësimi i filmave në garë nuk ka qenë i lehtë për jurinë, për shkak të nivelit të lartë artistik dhe cilësisë së produksioneve të paraqitura nga autorët ballkanikë. Anëtari i jurisë, Alert Çeloaliaj, e konsideroi festivalin një aktivitet që i jep jetë dhe dinamizëm jetës kulturore të qytetit.
Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë u themelua 16 vite më parë nga gazetari Fatos Baxhaku, producentja Gerta Qurku dhe regjisori Eno Milkani. Pas ndarjes nga jeta të Baxhakut, ceremonia e mbylljes vijon të zhvillohet simbolikisht në emër të tre themeluesve, si një homazh për kontributin e tij në ngritjen dhe vazhdimësinë e festivalit.

