25.1 C
Pogradec
26 C
Korçë
25.2 C
Bilisht
25.8 C
Ersekë
25.4 C
Maliq
25.9 C
Liqenas
Monday, June 22, 2026

Spektakël sportiv në Pogradec, edicioni i parë i Triathlonit mbledh atletë nga disa vende të botës…

- Advertisement -

Triathlon Pogradec ka çelur edicionin e parë në qytetin bregliqenor, me pjesëmarrjen e mbi 120 sportistëve nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.

Kjo disiplinë sportive, e cila ndërthur notin, çiklizmin dhe vrapin, u zhvillua në Pogradec në dy kategori. Në kategorinë Sprint, sportistët garuan në 750 metra not, 20 kilometra biçikletë dhe 5 kilometra vrap, ndërsa në kategorinë Olimpik gara përfshiu 1500 metra not, 40 kilometra biçikletë dhe 10 kilometra vrap.

Organizatori i aktivitetit, Julian Lekoçaj, u shpreh se Pogradeci i ka të gjitha kushtet për zhvillimin e Triathlonit, ndërsa synimi është që ky aktivitet të kthehet në një traditë të përvitshme. Në garë morën pjesë sportistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Gjermania dhe Britania, duke e kthyer qytetin në një pikëtakim ndërkombëtar të sportit.

Në kategorinë Olimpik, i pari që preku finishin ishte Albion Ymeri, sportisti i ri nga Kosova. Ai kishte qenë më herët pjesëmarrës në maratonën e vrapimit në Pogradec, ndërsa këtë herë mori pjesë për herë të parë në një garë Triathlon. Për të, kushtet atmosferike rezultuan favorizuese, pasi i ngjasonin klimës së Prishtinës.

Në kategorinë Sprint, fitues doli po ashtu një sportist nga Kosova, Genc Isufi. Për të, pjesa më e vështirë e garës ishte noti, ndërsa arriti të kryesojë deri në fund, duke prekur i pari shiritin e finishit.

Pjesë e garës ishte edhe i riu pogradecar Dorian Hoxhallari, pjesëmarrës në disa maratona. Ai vlerësoi mikpritjen, organizimin dhe natyrën e Pogradecit, duke theksuar se zhvillimi i një aktiviteti të tillë synon të promovojë më gjerësisht sportin, veçanërisht te të rinjtë.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Andon Senka, shqiptar që jeton në Selanik. Edhe pse pati një ngatërresë të vogël në itinerar, ai vijoi garën deri në fund, por nuk mundi të siguronte vendin e parë në kategorinë Sprint.

Triathlon u zhvillua për herë të parë në qytetin e Pogradecit, duke e kthyer juglindjen për një ditë në qendër të sportit në nivel ndërkombëtar.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit