Mbrëmjen e së mërkurës, në kuadër të festës së Kurban Bajramit, në Pogradec është zhvilluar një aktivitet festiv në sheshin “Odeon”, ku të pranishëm ishin qindra qytetarë.
Aktiviteti, i planifikuar me fokus të rinjtë, solli interpretime të vargjeve kuranore, pjesë me përmbajtje fetare, si dhe ilustrime që përcollën mesazhe besimi, paqeje dhe urimi për Kurban Bajramin.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe imami i xhamisë “Ebu Beker”, Mirel Mazelli, i cili u shpreh se ky aktivitet po zhvillohet publikisht, në mënyrë që qytetarët e Pogradecit të kenë mundësi të marrin pjesë dhe të jenë pjesë e atmosferës së festës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit dhe organizatorët e aktivitetit vunë theksin se kjo nismë del përtej mureve të institucioneve fetare, duke krijuar një model të ri për përhapjen e besimit dhe afrimin e komunitetit me vlerat e festës.
Edhe të rinjtë pjesëmarrës u shprehën të emocionuar për pjesëmarrjen në këtë ceremoni, ndërsa përcollën urimet e tyre për festën e Kurban Bajramit.
Ky aktivitet vlerësohet si i pari i këtij lloji i organizuar në rang vendi. Organizatorët shprehen se synimi është që kjo nismë të kthehet në një traditë të përhershme në Pogradec.

