Në ambientet e Galerisë “Guri Madhi” është çelur ekspozita e përbashkët e artit figurativ “Gjurmë Drite, Formë Jete”, një bashkëpunim artistik mes skulptorit Vladimir Topi dhe artistit grafik Gentian Zeka. Ekspozita vjen si një dialog estetik dhe filozofik midis skulpturës dhe grafikës, duke bashkuar formën tridimensionale me gjurmën grafike në një univers të përbashkët krijues.
Artistja dhe studiuesja e artit Tatjana Caca, e pranishme në ekspozitë, u shpreh se ndodhej përballë një ekspozite mjaft dinjitoze duke vlerësuar nivelin artistik dhe teknik të të dy autorëve. Ajo theksoi veçanërisht skulpturat në dru të Vladimir Topit dhe larminë teknike të grafikave të Gentian Zekës, duke shtuar se publiku do të marrë impresione të bukura dhe ndjesi të mira nga kjo ekspozitë.
Vetë skulptori Vladimir Topi u shpreh se ajo që i bashkon me Gentian Zekën është kërkimi i përbashkët për formën artistike.
Ai tregoi gjithashtu se kjo është ekspozita e dytë që hap së bashku me Zekën, pas një prezantimi të mëparshëm në Pogradec, ndërsa këtë vit ekspozita vjen më e plotë me rreth 65 grafika dhe 16 skulptura.
“Gjurmë Drite, Formë Jete” nuk është thjesht një prezantim veprash artistike, por një ftesë për reflektim, ndjeshmëri dhe komunikim me artin bashkëkohor. Përmes dialogut midis materialit dhe shpirtit, ekspozita krijon një hapësirë ku publiku bëhet pjesë aktive e interpretimit dhe përjetimit estetik.

