Pasojat e përmbytjeve nga rreshjet e nëntor/dhjetorit janë të dukshme edhe sot në fshatin Voskop të Korçës.
Struktura të dëmtuara betoni, gurë dhe inerte të shpërndara përgjatë shtratit të lumit, si dhe erozion të theksuar të brigjeve kjo është pamja me të cilën ndeshen çdo ditë banorët e këtij fshati.
Pjesë të konsiderueshme të mbrojtjes anësore duken të shembura, ndërsa mbeturina dhe materiale të ndryshme janë grumbulluar në rrjedhën e ujit, duke rritur rrezikun për bllokime dhe përmbytje të mëtejshme.
Sipas banorëve ndërhyrja nga bashkia ka qënë minimale ku hera e fundit që ka pastruar lumin ka qënë muaji nëntor.
Banorët shprehen se ky lumë është i rrezikshëm sidomos për një lagje ku ndodhen rreth 40 banesa, nga të cilat të paktën 10 familje konsiderohen në rrezik të drejtpërdrejtë. Ata kujtojnë se përmbytje të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën, përfshirë vitin 1991, kur uji depërtoi nëpër shtëpi dhe përmbyti të gjithë zonën përreth.
Përveç rrezikut për jetën dhe banesat, banorët shprehen se në rrezik janë edhe tokat bujqësore.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për stabilizimin e brigjeve, pastrimin e shtratit dhe ndërtimin e strukturave mbrojtëse më të qëndrueshme.
Sipas banorëve të zonës është lumi i Lavdarit ai që kalon përmes fshatit dhe bashkohet me lumin e Gjonomadhit duke bërë që në çdo reshje shiu të rikthehet i njëjti ankth,rreziku që lumi të dalë sërish nga shtrati dhe të përmbytë gjithçka përpara.

