Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu: “Kam kënaqësinë të jem sot në Korçë. Jemi këtu në kuadrin e turit të punëve të Shqipërisë, ku sapo kam përfunduar një takim me institucionet që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë: shërbimin e provës, shërbimin përmbarimor, si dhe ndihmën juridike falas që ofrojmë edhe në Pogradec dhe në Korçë, dhe që besoj se do ta fuqizojmë edhe më tej. Dëgjova disa qytetarë që kanë përfituar nga këto shërbime dhe kam kënaqësinë të konstatoj se ato janë aty për t’i dhënë qytetarëve më të mirën e tyre. Nga ana tjetër, dëgjova edhe sugjerime se si mund t’i modernizojmë dhe fuqizojmë më tej.
Jam në Korçë për të kuptuar se si drejtësia mund të jetë edhe në shërbim të zhvillimit ekonomik të qytetit, rajonit, madje të gjithë vendit. Nuk ka zhvillim ekonomik pa drejtësi. Në momentin që ne nuk sigurojmë ekzekutimin e kontratave, kjo do të thotë se kemi një mjedis biznesi ende të paqëndrueshëm. Dëgjova sot se shërbimi përmbarimor shtetëror ka arritur volumin e punës, çka do të thotë se po ekzekutohen kontratat dhe vendimet e gjykatave.
Drejtuesit e burgjeve, por edhe unë së bashku me ta, jemi shërbyes vetëm të ligjit dhe të gjithë kuadrit ligjor, të rendit juridik në Shqipëri, në shërbim të të gjithë qytetarëve, qofshin ata jashtë sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale, apo ata që i vuajnë këto dënime brenda institucioneve.
Kemi bërë miratimin në qeveri, projektligji është në Kuvend dhe në ditët në vijim do të nisë diskutimi edhe atje. Ajo çfarë ndodh është se, sa më afër jemi Bashkimit Evropian, aq më i shpeshtë dhe intensiv bëhet konsultimi me Komisionin Evropian për çdo pjesë të legjislacionit që Shqipëria miraton.
Partia Socialiste dhe shumica parlamentare nuk janë tërhequr nga asnjë deklarim publik sa i takon fuqizimit të garancive procedurale në çdo proces ligjor, pjesë e së cilës janë edhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Ne do të fuqizojmë më tej garancitë procedurale të individit në çdo lloj procesi gjyqësor, qoftë administrativ, civil apo penal.”

