Bllokohet plotësisht aksi kombëtar rrugor Qukës–Qafë Plloçë. Problematikat me rrëshqitjet kanë nisur ditën e sotme, ku fillimisht, në dalje të tunelit, është dëmtuar një mjet, i cili është goditur nga një pjesë inertesh. Më pas, në një prej segmenteve të këtij aksi, u bllokua një korsi e lëvizjes, megjithëse qarkullimi mbeti i hapur.
Vetëm pak minuta më parë, një rrëshqitje e re u evidentua në këtë aks rrugor, duke bllokuar lëvizjen në të dy krahët. Aktualisht, aksi është i pakalueshëm për automjetet, për shkak të ndalesës së vendosur nga kompania përgjegjëse.
Sipas informacioneve, kompania po përgatit një rrugë alternative, ndërkohë që qarkullimi është plotësisht i bllokuar. Gjatë gjithë ditës së sotme, në të gjithë aksin, i cili u inaugurua në muajin shtator të vitit të kaluar, janë shënuar rrëshqitje të vazhdueshme që kanë sjellë problematika serioze në qarkullim.
Ndalesat janë vendosur në të dy skajet e rrugës, konkretisht në Qukës dhe në Qafë Plloçë.

