Pas 40 ditësh në qeli, Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, si edhe dy shtetasit e tjerë, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, kanë lënë ambientet e burgut të Drenovës, pasi gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Mësohet se në seancën gjyqësore, pas 40 ditësh qëndrim në masën e sigurisë “arrest në burg”, për shkak të mbledhjes së provave dhe kryerjes së veprimeve hetimore shtesë nga Prokuroria, gjykata ka vendosur lirimin nga qelia të tre të dyshuarve dhe vendosjen e tyre në arrest shtëpie. Vendimi lidhet me ngjarjen ku tre shtetasit akuzohen se kanë marrë peng dhe kanë dhunuar 32-vjeçarin Ilir Topçiu.
Ngjarja ka ndodhur më shumë se një muaj më parë në qytetin e Bilishtit, ku sipas hetimeve, tre të arrestuarit kanë marrë me forcë 32-vjeçarin Ilir Topçiu, duke e dërguar në një magazinë në pronësi të njërit prej tyre, ku e kanë dhunuar dhe e kanë mbajtur peng për disa orë.
Rasti tronditi opinionin publik dhe solli pasoja edhe në radhët e Policisë së Shtetit. Një ditë pas ngjarjes, u shkarkua drejtori i Policisë së Qarkut, Erion Ahmeti, ndërsa u pezullua zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Hajri Kushe.
Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku akuzohen për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa Marsel Bucci, përveç këtyre dy akuzave, përballet edhe me veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”. Hetimet për këtë çështje vijojnë, që prej momentit kur Ilir Topçiu denoncoi ngjarjen pranë Policisë.

