Edhe këtë vit, Korça mbetet në krye të destinacioneve turistike për festat e fundvitit. Juglindja ofron një ofertë të veçantë, atmosferë festive dhe çmime konkurruese. Turistët janë kryesisht vendas nga Tirana, Elbasani dhe Shkodra, ndërsa rezervimet bëhen për disa dhoma, çka tregon se vizitat janë kryesisht familjare. Megjithatë, Korça mbetet ende e papërgatitur për nga kapacitetet aktuale për të përballuar këtë fluks të lartë vizitorësh.
Koçollari thekson se, krahasuar me vitet e shkuara, vihet re një rritje e lehtë e çmimeve, konkretisht nga 2 mijë deri në 3 mijë lekë të reja. Ndërkohë, ajo shpjegon se shërbimet janë përmirësuar nga viti në vit, për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve. Në hotele dhe shtëpi pritëse janë shtuar ambiente si spa, pishina dhe shërbime masazhi, ndërsa në fshatrat turistike ofrohen aktivitete të ndryshme, që nga ski-ja deri te kalërimi me kuaj.
Sipas saj, prenotimet janë të mbyllura deri më 15 janar, por fluksi i vizitorëve pritet të vijojë edhe pas kësaj date.
Korça po përjeton një fluks të madh vizitorësh ditët e fundit, duke u shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara për fundjava dhe pushimet festive. Jo vetëm qyteti, por edhe fshatrat turistike përreth, si Voskopoja, Dardha, Boboshtica dhe Vithkuqi, janë të rezervuara plotësisht për festat e fundvitit.
E njëjta situatë raportohet edhe në Pogradec, 40 kilometra larg Korçës. Sipas të dhënave, në Korçë numërohen 150 struktura hoteliere me mbi 4 mijë shtretër, ndërsa në platformat online, si Booking, raportohen 290 struktura akomoduese, të cilat janë të prenotuara deri në javën e parë të janarit.

