Grua e moshuar e braktisur prej kohësh në një qoshe të Pogradecit, qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e emergjencave sociale
Një grua e moshuar, e vetmuar dhe në gjendje të rëndë sociale, është parë prej kohësh në një nga rrugicat e qytetit të Pogradecit. Pamjet e publikuara nga qytetari Maliq Torra në rrjete sociale kanë ngjallur reagim dhe shqetësim të madh tek komuniteti lokal.
Sipas Torra-s, gruaja tregon se është nga zona e Osnatit, por prej një periudhe të gjatë qëndron e strehuar në një qoshe pranë një ndërtese në qytet, e pambrojtur nga kushtet e vështira atmosferike dhe pa asnjë ndihmë të dukshme.
Në foton e publikuar, gruaja shfaqet e ulur në trotuar, e veshur me rroba të vjetra dhe të dëmtuara, ndërsa pranë saj gjenden disa qese plastike që duken si e vetmja pasuri që ka me vete.
Torra apelon që shërbimet e emergjencave dhe ato sociale në Bashkinë Pogradec të ndërhyjnë sa më parë për t’i siguruar të paktën një strehim të përkohshëm.
Postimi ka marrë qindra reagime nga qytetarë të prekur nga situata, të cilët kërkojnë vëmendje urgjente dhe zgjidhje humane për gruan e moshuar.
Banorët e Pogradecit dhe përdorues të rrjeteve sociale i bëjnë thirrje institucioneve përkatëse të mos e lënë këtë rast të neglizhohet, duke theksuar se asnjë i moshuar nuk duhet të vuajë në rrugë.

