Në Korçë u zhvillua sot tryeza e rrumbullakët “Forcimi i bashkëpunimit dhe angazhimit për të parandaluar trafikimin e paligjshëm të objekteve kulturore”, në një kohë kur qarku konsiderohet ndër më të ekspozuarit ndaj gërmimeve të paautorizuara, për shkak të zbulimeve të shumta arkeologjike të viteve të fundit.
Gjatë diskutimeve, Drejtorja e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Amarda Cici, bëri të ditur se janë evidentuar disa raste gërmimesh të jashtëligjshme pranë zonave të mbrojtura. Pas veprimeve të institucionit është verifikuar se nuk janë marrë objekte me vlerë historike, por rreziku mbetet i lartë, sidomos në zonat e largëta nga qendrat e banuara. Mes tyre, Cici përmendi edhe dëmtimet e fundit në Varrezat e Selcës.
Sipas ekspertëve, boshllëqet në legjislacion e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme, pasi gërmimi i paautorizuar nuk cilësohet ende si vepër penale. Kjo u lejon personave të pajisur me detektorë metalesh të identifikojnë dhe të gërmojnë për sende me vlerë, të cilat më pas rrezikojnë të përfundojnë në tregjet ilegale të vendeve fqinje. Ata kërkojnë që ky veprim të përfshihet në Kodin Penal dhe të konsiderohet i paligjshëm.
Pjesëmarrësit theksuan se mungesa e rregullimit ligjor ka sjellë rritje të dukshme të numrit të gjuetarëve të thesareve në vend, duke rrezikuar seriozisht trashëgiminë kulturore dhe duke hapur rrugën për trafikim të objekteve arkeologjike.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, CHwB Albania, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe përfaqësues te Bashkive

