ERSEKË – Pas 15 vitesh në hije, futbolli në Ersekë duket se po sheh ‘dritë në fundin e tunelit’. Në qytetin e vogël juglindor ka rilindur sërish besimi për të parë ekipin e futbollit Gramozi në elitën e Shqipërisë.
Pas kërkesës së biznesmenit italian Gerardo Masucci për të blerë klubin e Gramozit dhe me propozimin e kryebashkiakut Erion Isai dhe miratimin e Këshillit Bashkiak të Kolonjës, Klubi i Futbolli Gramozi ka tanimë një pronar të ri.
Gerardo Masucci, sipas dokumentave që Shqiptarja.com disponon, do investojë në aktivitetin sportiv, duke ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetjen financiare të klubit.
Plani është për ndërtimin e një akademie futbolli model, një hoteli me pesë yje dhe fushave që do bënin që edhe klube të tjera të zhvillonin fazën përgatitore në Ersekë gjatë verës, kjo pasi klima e freskët e lejon.
Në prezantimin e presidentit të ri në ambientet e Bashkisë së Kolonjës në Ersekë, ishin prezent disa nga figurat më të spikatura të futbollit kolonjar, mes të cilëve edhe trajneri legjendar i Gramozit, Ilir Qirjako./shqiptarja.com


