Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë u mbajt sot ceremonia solemne e Fronëzimit të Mitropolitit të ri të Korçës, Hirësisë së Tij Anastasit. Në këtë ngjarje madhore për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë morën pjesë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, anëtarët e Sinodit të Shenjtë, klerikë e besimtarë të shumtë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryepiskopi Joani e cilësoi këtë ditë si “një ditë të madhe gëzimi dhe bekimi” për Mitropolinë e Korçës dhe për gjithë Kishën Orthodhokse. Ai kujtoi me mirënjohje punën e jashtëzakonshme të bërë nga pararendësit për ringritjen e Kishës pas viteve të vështira dhe vlerësoi zgjedhjen e Hirësisë së Tij Anastasit si një shembull të përkushtimit dhe thirrjes shpirtërore.

