15.8 C
Pogradec
16.4 C
Korçë
15.3 C
Bilisht
15.9 C
Ersekë
15.5 C
Maliq
16 C
Liqenas
Thursday, May 7, 2026

Përkujtohet 118-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit në Pogradec…

- Advertisement -

Në 118-vjetorin e lindjes së Mitrush Kutelit, poetit, prozatorit dhe themeluesit të prozës moderne shqipe, qyteti i Pogradecit kujtoi figurën e tij përmes një aktiviteti artistik të mbajtur pranë shtatores në sheshin e trëndafilave. Dhimitër Pasko, i njohur në letërsinë shqipe me pseudonimin Mitrush Kuteli, mbetet një ndër kolosët e letrave shqipe, i vlerësuar gjithashtu edhe si ekspert në fushën e ekonomisë.

Në këtë homazh, të pranishëm ishin familjarë, miq dhe dashamirës të krijimtarisë së tij. Fjalën në emër të familjes e mbajti djali i shkrimtarit, Pandi Pasko, ndërsa në emër të Bashkisë së Pogradecit përshëndeti nënkryetarja Entela Gusho.

Aktiviteti, i titulluar “Do të përshpëriti era”, u përgatit nga regjisori Dhimitraq Tasellari me pjesëmarrjen e aktorëve dhe këngëtarëve të Qendrës Multifunksionale Pogradec. Moderimin e mbajti Andi Kosta, këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë pranë Kryetarit të Bashkisë.

Në fund të aktivitetit, në një raft të posaçëm u ekspozuan veprat e Mitrush Kutelit, që ruhen në fondin e bibliotekës së qytetit, e cila mban emrin e tij. Ky gjest simbolik risolli në kujtesë lidhjen e ngushtë mes Kutelit dhe Pogradecit, qytetit që e rriti dhe e frymëzoi për krijimtarinë e tij të pavdekshme.

Biografia:
Mitrush Kuteli, emri letrar i Dhimitër Paskos, lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. I rritur në brigjet e liqenit që do t’i jepte frymëzim për shumë prej tregimeve të tij, ai trashëgoi nga familja një pasuri kulturore të ndërthurur mes rrënjëve shqiptare dhe aromune. Kjo përzierje gjaku e tradite do të ndikonte në formimin e tij estetik dhe letrar.

Kuteli ndoqi shkollën tregtare në Selanik, përpara se të shpërngulej në Bukuresht, ku studioi ekonomi dhe në vitin 1934 mbrojti doktoraturën me vlerësimin “Magna cum laude”. Në kryeqytetin rumun ai u aktivizua në jetën kulturore të diasporës shqiptare, duke botuar artikuj dhe përkthime, si dhe duke bashkëpunuar me botues e studiues të letrave shqipe.

I kthyer në Shqipëri, Mitrush Kuteli do të bëhej një prej themeluesve të prozës moderne shqiptare. Stili i tij ndërthurte realizmin me elementë të folklorit, duke sjellë në letërsi një gjuhë të pasur, të gjallë e të thjeshtë në dukje, por me thellësi shpirtërore dhe simbolike. Vepra të tilla si Netë Shqiptare, Ago Jakupi, Kapllan Aga i Shaban Shpatës dhe Tregime të Moçme Shqiptare mbeten gurë themeli në letërsinë shqipe. Ai u dallua edhe si përkthyes, duke sjellë në shqip autorë rusë, rumunë e spanjollë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kuteli u përball me periudha të vështira. Qëndrimet e tij kritike ndaj orientimeve politike të kohës, sidomos lidhur me marrëdhëniet me Jugosllavinë, e vunë në shënjestër të regjimit komunist. Ai u arrestua dhe kaloi vite burgimi, ndërsa më pas iu kufizua e drejta e botimit dhe e pjesëmarrjes së plotë në jetën publike letrare. Megjithatë, ai vijoi të shkruante dhe të përkthente, duke mbetur një zë i fuqishëm, edhe pse shpesh i heshtur me detyrim.

Mitrush Kuteli ndërroi jetë më 4 maj 1967 në Tiranë. Ai la pas një trashëgimi të pasur, që nuk i përket vetëm letërsisë, por edhe kujtesës kulturore të kombit. Prozat e tij, të mbushura me figura popullore, me thyerje dramatike e me një melankoli të thellë, vazhdojnë të lexohen si dëshmi të shpirtit shqiptar. Sot, ai kujtohet si një mjeshtër i rrëfimit, që solli në letërsinë shqipe një frymë moderne, por të lidhur pazgjidhshmërisht me rrënjët popullore dhe me dhimbjet e vendit të tij.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit