Në zemër të qytetit të Korçës, mbrëmë përfundoi me sukses një nga aktivitetet më të ndjera kulturore të vitit – “Netët e Poezisë”, një festë e fjalës së bukur që për dy net me radhë mbushi ajrin me emocione, ndjeshmëri dhe reflektim.
Poetë nga Shqipëria dhe vende të tjera ndanë me publikun vargje që prekën shpirtin dhe frymëzuan mendjen, duke kthyer çdo lexues në një dëgjues të përkushtuar ndaj artit të fjalës. Në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, publiku përjetoi momente të rralla që vetëm poezia mund t’i dhurojë.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë pjesëmarrësit, organizatorët dhe mbështetësit e këtij aktiviteti, të cilët dëshmuan se kultura nuk është thjesht një pjesë e së kaluarës, por një gjurmë e gjallë dhe e pashlyeshme e identitetit tonë qytetar.
Urime të përzemërta për fituesit, të cilët me fjalën e tyre të fuqishme dhe të ndjeshme lanë mbresa të paharrueshme.
“Netët e Poezisë” nuk ishin thjesht një event, por një thirrje për të mos harruar fuqinë e artit dhe vlerën e thellë të komunikimit shpirtëror përmes vargut.
Poeti Laureat i festivalit u shpall Sadik Bejko, i cili mbolli pemën tradicionale në Parkun e poezisë, një akt simbolik në nderim të trashëgimisë së fjalës së shkruar.
📚
Çmimi Kurora e Poezisë shkoi për poeten Maklena Nika me motivacionin: “Për vlerat e qenësishme të krijimit poetik që kanë lartësuar emrin e letërsisë shqipe brenda dhe jashtë vendit.
📚
Çmimi Poezia më e Bukur iu dha poetit Tsvika Nir (Izrael) me motivacionin: Për ndjeshmërinë dhe nuancat estetike që u përcuan plot emocion dhe përjetim në veprimtarinë “Netët korcare të poezisë 2022”.
📚
Çmimi Dritëro Agolli iu dha poetit Dinos Kubatis (Greqi) me motivacionin: “Për poetikën kuptimplotë dhe plot figuracion, të gërshetuar me elementet e letërsisë sonë bashkëkohore”.
📚
Çmimi Asdreni shkoi për poetin Zyhdi Dervishi me motivacionin: “Për linjën poetike që përkon me vlerat tradicionale dhe atdhetare në letërsinë shqipe”.
📚
Çmimi Special shkoi për poeten Rakela Zoga me motivacionin: “Për këndvështrimin origjinal, për përcjelljen e vlerave universale përmes kumtit poetik.

