Investimi për restaurimin e kalasë së qytetit të Pogradecit, që synonte të nxirrte në pah vlerat historike të zonës, duket se ka prodhuar të kundërtën e qëllimit fillestar. Një pjesë e murit historik është rindërtuar në mënyrën më të papërshtatshme të mundshme, duke dëmtuar rëndë identitetin arkitektonik të strukturës shekullore.
Sipas arkeologëve, në raste ndërhyrjesh në objekte me vlera historike, është thelbësore që metodologjia e restaurimit dhe materialet e përdorura të jenë në përputhje me strukturën origjinale, duke ruajtur autenticitetin dhe karakterin historik të monumentit.
Situata është edhe më shqetësuese në anën lindore të kalasë, ku janë kryer disa gërmime pranë mureve të jashtme. Punimet, që më herët janë ndaluar, po çojnë aktualisht në shkatërrimin e murit, i cili po shembet në copa, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme një strukturë unike të trashëgimisë sonë kulturore.
Edhe pse punimet janë realizuar nga një kompani e specializuar për ndërhyrje në objekte arkeologjike, dëmet e shkaktuara janë të rënda dhe të pariparueshme. Për këtë, është e domosdoshme të ngrihen përgjegjësi të qarta institucionale dhe ligjore, deri në nivel penal.
Ndërkohë, autoritetet përgjegjëse duhet të marrin masa urgjente për të ndaluar degradimin e mëtejshëm të strukturës së zbuluar në anën lindore të kalasë, e cila po rrënohet dita ditës, duke rrezikuar zhdukjen e një prej monumenteve më të rëndësishme kulturore të zonës.

