Të rinjtë pogradecar shkëlqejnë në “Rin Show” për të dytin vit radhazi
Edhe këtë vit, të rinjtë e Pogradecit u bënë krenaria e qytetit në spektaklin rinor “Rin Show”, një event i përvitshëm që mbledh talente nga i gjithë qarku i Korçës. Me përgatitje, pasion dhe përkushtim, pjesëmarrësit pogradecar u vlerësuan me disa çmime të rëndësishme, duke dëshmuar se qyteti buzë liqenit vijon të jetë një vatër e gjallë e energjisë rinore dhe krijimtarisë artistike.
Sandra Vesho u shpall Valletarja më e mirë e qarkut, duke rrëmbyer vëmendjen me hijeshinë dhe teknikën e saj. Grupi i kërcimit të gjimnazistëve “Chunga Play” u vlerësua për kërcimin më të mirë, duke sjellë në skenë një performancë plot gjallëri e ritëm. Ndërsa Amarildo Veshaj, me zërin dhe interpretimin e tij të veçantë, u shpall Këngëtari më i mirë i qarkut, duke lënë gjurmë në skenën e festivalit.
Veç çmimeve të fituara, ky edicion i “Rin Show” shërbeu edhe si një platformë për të zbuluar talente të reja, që premtojnë shumë për të ardhmen artistike të qytetit dhe më gjerë.
Përgatitja e pjesëve korografike u bë me përkushtim nga një ekip i përkushtuar, ku spikasin emrat e Fatos Elmasllarit dhe Zhuljeta Kalkollarit, të cilët udhëhoqën të rinjtë në çdo hap e fushës së kërcimit, duke kontribuar ndjeshëm në suksesin e tyre. Ndërsa Luiza Mara drejtoi grupin e të rinjve në zhanrin e muzikës.
Ky sukses përforcon edhe njëherë rolin e të rinjve pogradecar si promotorë të kulturës, artit dhe energjisë pozitive në skenat rajonale.

