Zgjedhjet e 11 majit mbajnë ende një hije dyshimi të madhe përsa i përket rezultateve të tyre. Opozita në vend akuzon për një “masakër” elektorale dhe blerje masive të votave, ndërsa nga ana tjetër maxhoranca shprehet se votimet treguan vullnetin e qytetarëve. Por dukshëm, këto zgjedhje kanë qenë një farsë e kryer në bashkëpunim nga dy partitë e mëdha, të cilat duket se kanë paravendosur këtë rezultat.
Nëse do t’i referohemi qarkut të Korçës, strategjia e humbjes për opozitën dukej që pa nisur vetë procesi i votimit, madje që në momentin e hartimit të listave të kandidatëve. Mbase lista më e dobët e paraqitur ndonjëherë, por që për shkak të pakënaqësisë në rritje të qytetarëve ndaj qeverisjes, kishte një shans që të merrte 5 mandate nga 10 që ka qarku. U duk se kandidatët e listës, të cilët u angazhuan për mbledhjen e votave, ishin pak, fakt që u konfirmua edhe nga rezultati.
Vetëm nëse i referohemi rrethit të Pogradecit, i cili tradicionalisht siguronte një mandat deputeti për opozitën, atëherë do të konstatojmë neglizhencën, e cila më herët dukej naive, ndërsa tani po vërtetohet se ishte e qëllimshme. Lufta që në primare solli në fokus fraksione të shumta, të cilat donin të ngrinin apo ulnin kandidatë të caktuar. Por ajo që krijoi më shumë dyshim mbi kandidatët në këtë garë, ishte lufta me “ushtarë” të jashtëm, të deleguar nga strukturat e PS-së në Pogradec, të cilët punuan fort për kandidatët e preferuar, që nuk do t’u kanosej asnjë rrezik në zgjedhje dhe madje do t’i kishin edhe “në dorë”. Kjo skemë jo vetëm që u vërtetua, por edhe u blindua në argumentin publik nga rezultati.
Por historia nuk mbaron këtu. Duket se një pakt është bërë mes një kandidati në listën e PD-së dhe drejtuesve të PS-së vetëm një natë para zgjedhjeve. Kjo për të garantuar hyrjen në Kuvend të Bledi Çomos, i cili, nëse do të kishte një rrjedhje prej mbi 1200 votash, që mund të shkonin në listën e opozitës, do të rrezikonte mandatin e tij, i cili mund t’i kalonte një kandidati tjetër të PS-së në qark.
Burime të sigurta të PogradeciPress.al bëjnë të ditur se dyshohet se mund të jenë dhënë edhe para që një kandidat i opozitës të tërhiqej nga ambicia për deputet. Të njëjtat burime hedhin dyshime mbi akte konkrete që vërtetojnë transaksione bankare, që një kandidat mund të ketë kryer ditëve të fundit pas zgjedhjeve. Dukshëm, nëse qëndron ky fakt, duhet që institucionet si SPAK të hetojnë në lidhje me veprime të tilla.
Për këtë arsye, redaksia ngre këto pyetje:
- A mund të vërtetojnë kandidatët e listës së PD-së që nuk kanë kryer transaksione bankare (pagesa në shuma të mëdha) me të ardhura të pajustifikuara pas datës 11 maj?
- A ka pasur ndonjë telefonatë dhe më pas takim mes drejtuesve të PS-së dhe një kandidati të PD-së një ditë para zgjedhjeve?
- Çfarë ndodhi dhe me kë u plotësuan komisionerët që u tërhoqën ditën e votimeve?
- A i thotë dikujt gjë shuma 20 mijë euro?
Këto pyetje duan të kenë një përgjigje dhe jo vetëm publike por edhe një përgjigje në organet e drejtësisë, ku dyshohet se me qëllim është tjetërsuar vullneti i votuesve. Praktikisht në vjedhje ka dy subjekte: grabitësi dhe i grabituri. Në këto kushte, kur grabitësi po bënte punën e tij, i grabituri çfarë po bënte?
Duhet të zbardhen një herë këto detaje dhe më pas të analizohen shkaqet e humbjes së PD-së në qarkun e Korçës.

