Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Arber Male, ka bërë një thirrje publike drejtuar qytetarëve të bashkisë dhe njësive administrative për të ndarë mendimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me shërbimin e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve në territorin e bashkisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Male bën me dije se Bashkia e Pogradecit është në fazën e përgatitjes së kontratës së re për këtë shërbim dhe nënvizon rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këtë proces për të garantuar një shërbim më cilësor dhe të përshtatur me nevojat e komunitetit.
“Thirrje për mendimet tuaja!” – shkruan Male.
“Të nderuar banorë të Pogradecit dhe njësive administrative.
Bashkia e Pogradecit po përgatit kontratën e re për pastrimin dhe trajtimin e mbetjeve në territorin tonë. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të përmirësuar shërbimin, ndaj zëri juaj ka shumë vlerë!
👉 Keni probleme me pastrimin e mbeturinave në zonën tuaj?
👉 Mungojnë kontenierët ose janë të dëmtuar?
👉 Grafiku i largimit të mbetjeve nuk respektohet?
👉 Keni pasur vështirësi me pastrimin e borës në dimër?
Na tregoni konkretisht problematikat që keni hasur dhe sugjerimet tuaja për t’i zgjidhur ato!”
Thirrja e Male vjen në një kohë kur pastrimi urban mbetet një nga sfidat më të ndjeshme për Pogradecin, veçanërisht gjatë sezonit turistik dhe në zonat rurale të bashkisë. Ai fton qytetarët të japin mendime konkrete mbi problematikat e hasura, në mënyrë që kontrata e re të reflektojë realisht nevojat e komunitetit dhe të garantojë një shërbim më efikas dhe transparent.

