Hetimet për vrasjen e Egli Progës, të cilat janë në fazën përfundimtare, duket se po ndryshojnë. Së fundmi, dëshmi të reja kanë dalë në dritë nga vetë të arrestuarit, të cilët sipas variantit të ri, janë shprehur se së pari viktima është dhunuar brenda lokalit nga shtetasi Leonidha Guçe, e më pas ai është goditur kur ka dalë nga objekti edhe nga shtetasi Denis Meçe. Gjithsesi, Prokuroria e Korçës po vijon më tej veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të dëshmisë.
Ndërsa sot, Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për Andi Shkulakun, i arrestuar tre ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Korçës, dhe akuzohet për moskallëzim krimi.
Më 10 gusht të vitit të shkuar mbeti i vrarë shtetasi Egli Proga, ndërsa ngjarja atëherë krijoi përplasje mes institucioneve dhe dyshime për fshehje të ngjarjes. Ndërsa veprimet hetimore të fundit duket se po i ndryshojnë rrjedhën ngjarjes së rëndë, pikërisht në fazën kur dosja e Prokurorisë pritej të shkonte për gjykim.

