“Perla” që po boshatiset: Niko Peleshi promovon turizmin në qytetin e zbrazur nga qeverisja që ai vetë përfaqëson
Leskovik – Ironia nuk ka më kufij. Ndërsa Leskoviku mbetet një nga qytetet më të shpopulluara në vend, Drejtuesi Politik i PS dhe njëherazi një prej figurave më të vjetra të qeverisë socialiste, Niko Peleshi, shfaqet me fjalë të mëdha për “rilindjen turistike” të zonës. “Leskoviku po kthehet në një destinacion të vërtetë, gati për të shkëlqyer edhe më shumë”, shkruan Peleshi, duke injoruar tërësisht boshatisjen dramatike të qytetit dhe mungesën e investimeve reale në infrastrukturë, ekonomi dhe shërbime.
Deklarata vjen në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit, por realiteti në terren flet ndryshe: Leskoviku ka humbur mijëra banorë në dekadën e fundit. Të rinjtë kanë braktisur qytetin për mungesë mundësish dhe investimet e premtuara kanë mbetur në letër. Çfarë “perle” turistike mund të jetë një qytet ku mungojnë investimet themelore, ku rrugët janë të degraduara, ku nuk ka shërbime shëndetësore cilësore dhe ku papunësia është e frikshme?
Për vite me radhë, politikat e centralizuara dhe indiferenca e qeverive të majta kanë bërë që qytetet si Leskoviku të kthehen në hijet e vetvetes. Ndërsa Niko Peleshi përpiqet të shesë optimizëm elektoral me slogane të zbrazëta, banorët që kanë mbetur në Leskovik kërkojnë llogari: pse nuk është bërë asgjë për të ndaluar shpopullimin? Pse resurset natyrore dhe mundësitë për turizëm janë lënë në harresë? Pse ky “potencial i pashfrytëzuar” është i tillë pikërisht për shkak të një qeverisjeje që ka premtuar shumë dhe ka bërë shumë pak?
Leskoviku ka nevojë për më shumë sesa fotografi elektorale dhe status Facebook-u. Ka nevojë për vizion, për plane konkrete zhvillimi dhe për një klasë politike që nuk e përdor territorin e braktisur thjesht si skenë për propagandë.

