Vetëm pak kohë më parë nisi rikonstruktimi i plotë i dy lagjeve muze në qytetin e Pogradecit. Konkretisht, lagjia Topleci dhe rruga Naim Frashëri, por duket se kompania “Valona Konstruksion” Shpk, e cila ka marrë tenderin, ka ndaluar punimet në disa zona dhe në të tjera po ecën me ritme të ulëta. Projekti, i investuar nga qeveria shqiptare me një vlerë prej 4,5 milionë euro dhe i përfituar nga kjo kompani pas fazës së projektimit, ka nisur zbatimin e tij. Aktualisht, 10 banesa janë përfshirë në ndërhyrje, ku atyre u është hequr pjesa e çatisë, në një moment kur ka pasur edhe reshje, duke dëmtuar kështu akoma më tepër strukturat e objekteve, kryesisht në tavane.
Sipas informacioneve, të shumtë janë qytetarët të cilët kanë shprehur rezerva në lidhje me planifikimin e punës nga ana e kompanisë. Dhe sipas tyre, kompania “Valona Construction” duhet të vijonte me rivendosjen e çative të objekteve. Ndërsa burime bëjnë të ditur se shkak për ecurinë e ngadaltë të punimeve është bërë mungesa e tjegullave nga ana e kompanisë.
Gjithashtu, banorët e shqetësuar shprehen se projekti duhet të mirëadministrohet dhe të jetë në vëmendje të kompanisë për shkak të rëndësisë që ka investimi. Ata i bëjnë thirrje kompanisë “Valona Construction” që të organizojë punën në mënyrë të duhur dhe të kujdeset të kryejë punimet me cilësi.
“Valona Construction” është një kompani e cila ka kryer edhe investime të tjera publike, ndërsa në pothuaj të gjitha këto investime shihet një cilësi e ulët e punimeve dhe një keqorganizim i punës.

