Në fshatin Starje të Ersekës një familje me pesë anëtarë jeton në çadër në mes të dimrit, pasi shtëpia e tyre u dogj si pasojë e një shkëndije elektrike në dhjetor të vitit 2024.
Dy prej pjesëtarëve të kësaj familjeje janë të moshuar, ndërsa një tjetër i sëmurë dhe i paaftë për punë.
Zjarri dogji çdo orendi e pasuri që kjo familje kishte, e vetmja gjë e mbetur janë muret e vjetër dhe të dëmtuar. Sipas tyre, Bashkia e Kolonjës përveçse i ka çuar çadrën, nuk ka bërë asgjë tjetër. I vetmi burim të ardhurash i familjes me pesë antarë është pensioni minimal i gjyshes së shtëpisë. Xhadat ju drejtuan Bashkisë Kolonjë për t`u interesuar në lidhje me rastin, ku biseduan me nënkryetarin e Bashkisë.
Ai u shpreh se pas ngjarjes ata i kanë ofruar kësaj familje strehim te banesat sociale, po ata nuk kanë pranuar. Jetesa në fshat e kësaj familjeje e ka bërë të pamundur lëvizjen për shkak se nuk kanë ku të lënë kafshët. Sipas zyrtarit të bashkisë shtëpia e tyre do të rikonstruktohet sipas preventivit të hartuar nga ana e tyre.
Sa i takon mobilimit i cili nuk përfshihej në projekt, Bashkia u angazhua për zgjidhje edhe në këtë drejtim. Xhadat dhe denoncuesi u larguan nga Bashkia Kolonjë me premtimin se rikonstruksioni i shtëpisë së djegur do përfundonte brenda vitit 2025, pasi kushtet e motit nuk e lejonin kryerjen e punimeve pa ikur dimri/MCN

