Gjykata e Korçës dje ka dhënë vendim fajësie për 4 personat e dyshuar si vrasës të Martin Çeços nga fshati Kolanec i Maliqit, më 12 qershor 2022. I riu u gjet i mbytur me litar dhe i hedhur në rezervuar, pas dy ditësh që kishte humbur kontaktet me familjen. Policia dhe Prokuroria e Korçës arrestuan si të dyshuar të ngjarjes kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj nga fshati Marjan i Korçës dhe bariun e tyre, Bledi Angjo, me motivin se i ndjeri ishte në një lidhje me Martina Pajollarin, me të cilën u tha se ishte gjithashtu në një lidhje njëri prej kushërinjve. Më pas, prokuroria vuri në bankën e të akuzuarve edhe Martina Pajollarin si bashkëpunëtore në këtë ngjarje, pasi u dyshua se kishte nxjerrë në pritë viktimën.
Sipas palës mbrojtëse në gjykim, në asnjë moment nuk u vërtetua drejtpërdrejt ose tërthorazi lidhja e të pandehurve me viktimën. Mbrojtja, në seancën e mbajtur nga avokatë të ndryshëm, argumentoi se nuk është kërkuar nga prokuroria vënia në dispozicion e materialeve nga kompania “Meta”, ku është pretenduar se viktima dhe autorët e dyshuar kanë pasur kontakt. Ndërkaq, sipas tyre, në gjykatë asnjë provë nuk vërteton se Valter dhe Edlir Mollaj kanë kryer këtë krim, duke paralajmëruar apelimin e vendimit.
Ndërsa prokuroria është mjaftuar me dëshmitë që vetë të akuzuarit kanë dhënë, për t’i kërkuar gjykatës dënim me burg për të katër shtetasit. Gjykata ka vendosur dënim me burg për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim për të akuzuarit, konkretisht:
- Valter Mollaj – 25 vite burg
- Edlir Mollaj – 23 vite burg
- Martina Pajollari – 20 vite burg
- Blendi Angjo – 15 vite burg
Gjithashtu, pritet që mbrojtja t’i drejtohet apelit për të kundërshtuar këtë vendim brenda afatit ligjor.
Hetimi shpeshherë ka nxjerrë dëshmi kontradiktore nga vetë Martina Pajollari dhe Blendi Angjo, ndërsa policia për vrasjen e Martin Çeços mori në pyetje dhjetëra persona. Ndërkaq, familjarët e kushërinjve Mollaj, edhe jashtë kamerave, janë shprehur se ky është një proces me prova të fabrikuara për të implikuar dy shtetasit në hetim, pa pasur lidhje me ngjarjen.
Nga dosja e prokurorisë rezulton se nuk ka prova shkencore për të akuzuarit si të lidhur me ngjarjen, por akuza është ngritur vetëm mbi dëshmitë kontradiktore të Pajollarit dhe Angjos, duke ngritur pikëpyetje mbi hetimin.

