Ministri Toni Gogu deklaratë nga Pogradeci:
Kam zgjedhur sot 1 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, që të jem sot në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Pojskë. Pikërisht se besoj fort se drejtësia duhet të jetë e pranishme jo vetëm përmes ndëshkimit edhe dënimit, por edhe përmes rehabilitimit.
Dhe të dëshmoja sot që për dashurinë mëmësore, për familjen, nuk ka ndarje dhe nuk ka mure. Besoj që ishte gjëja më e mirë që mund t’i bëja vetes në rolin e ministrit, por edhe Ministrisë së Drejtësisë për të kuptuar se si mundet ta fuqizojmë këtë rol, se si mundet të vazhdojmë dhe të kthejmë jetë të cilat nevojitet të rikthehen në jetën e përditshme me dinjitetin e restauruar dhe gjithashtu edhe me një rol të ri në familjet e tyre.
Kështu që zonjat që vuajnë dënimin këtu sot, jo vetëm kanë përjetuar besoj gëzimin e fëmijëve, por edhe të një lajmi të ri, i cili ka të bëjë me amnistinë. Dhe që shumë shpejt projektligji që ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë, fillon diskutimin dhe besoj që do të bëhet realitet në javët në vijim.
Dhe e them këtë gjë sepse të dyja lajmet lidhen me njëra-tjetrën. Drejtësia nevojitet që t’i ketë të dyja fytyrat e saj të ngjitura me njëra-tjetrën; si atë që ndëshkon, si atë që çon ndreq një gabim që është bërë, ndreq një të keqe që është bërë në komunitet, por ashtu edhe atë të restaurimit edhe të rikthimit të dinjitetit në jetën tonë të përditshme.
Pyetjes,ekziston një stereotip përsa i përket burgjeve. Kemi një drejtor të ri të përgjithshëm të burgjeve, kemi tre drejtorë të rinj,tre shkarkuat, tre të rinj të emëruar.
Dhe ka edhe një video në burgun e Durrësit kur stereotipi krijohet se po kthehen në burgjet si hotele. Mos vallë ka nevojë për më tepër rigorozitet, për më tepër vëmendje ndaj burgjeve?
Gogu përgjigjet:-Sfida jonë siç e thashë është pikërisht kjo që sistemi penitenciar në Shqipëri të jetë i sigurt, që të gjithë të dënuarit të vuajnë dënimet e tyre në institucion të sigurt, por gjithashtu ata të kenë dinjitetin dhe të drejtat e tyre të njeriut të jenë të respektuara nga institucionet tona.
Kështu që ajo çfarë do të sigurojmë në ditët në vazhdim është pikërisht kjo gjë që të drejtpeshojmë mirë vuajtjen e dënimit në mënyrë të sigurt, në mënyrë rigoroze, në mënyrë ku ligji zbatohet tërësisht, por gjithashtu ku rehabilitojmë secilin banor të njësive tona ku vuhet dënimi penal,në rikthimin e tyre në komunitetet e tyre, në familjet e tyre siç ishte edhe rasti i zonjave sot.
Që dua ta ritheksoj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që muret të mos ndajnë marrëdhëniet e tyre me familjet.
Pyetjes:-Ndodheni sot në një nga burgjet që ka kushtet më të mira por nga ana tjetër avokati i popullit në një deklaratë ka thënë që mungojnë kushtet elementare të qëndrimit,mungesa kujdedit mjekësor apo elementeve të tjera që kanë shtyrë të burgosurit drejt vdekjes.
Gogu përgjigjet:-I lexojmë me shumë vëmendje raportet e Avokatit të Popullit. Kemi mbajtur shënim të gjitha vërejtjet e Avokatit të Popullit dhe rekomandimet e tij, dhe jo vetëm të Avokatit të Popullit, por edhe të organizmave ndërkombëtarë. Jemi duke punuar së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm dhe me të gjithë ekipin në mënyrë që të rikthejmë menjëherë në secilin institucion, sidomos në ato institucione ku detyrimi për shërbim mjekësor është i domosdoshëm, pra në institucionet ku vuhet dënimi dhe për shkak të detyrimit mjekësor. Dhe duhet që t’i kthejmë ato në standardin europian. Jemi duke punuar që shumë shpejt, dhe besoj do të kemi lajme, t’i kthejmë ato institucione në atë standard, për ta përjetuar çdo ditë standardin europian, jo vetëm në letrat dhe në kapitujt që ne negociojmë me Brukselin çdo ditë.
Pyetjes pët projektligjin që ka shkuar në parlament për sa i përket amnistisë.Cilat vepra do të përfitojnë nga kjo amnisti?
Minsitri përgjigjet:-Detajet për amnistinë do t’i ndiqni në ditët në vijim sepse do të jetë diskutim i gjithanshëm në komisionin parlamentar, por ajo çfarë mund t’ju them është ato vepra që nuk do të përfitojnë dhe ato subjekte që nuk do të përfitojnë, që janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Pra, amnistia është një instrument i politikës penale e cila, në radhë të parë ka një fytyrë njerëzore. Pra, nga njëra anë ne do të sigurojmë që ligji të vazhdojë të ndëshkojë ato fenomene dhe ato vepra për të cilat shoqëria jonë tashmë ka një konsensus dhe, nga ana tjetër, të rikthejmë fytyrën njerëzore për të rehabilituar, sidomos të moshuarit, të sëmurët, gratë, të miturit.
Pyetje për të paraburgosurit,burgjet të juglindjes të vendit,ka më shumë të paraburgosur se sa ato që kanë marrë dënimin e formës së prerë. Çfarë do të bëhet edhe për të shpopulluar burgjet me këtë kategori personash të cilët, ndoshta dhe për vepra shumë minimale, janë pas hekurave?
Ministri përgjigjet:-Masat e arrestit janë diskrecion i gjyqsorit, i sistemit të drejtësisë. Ne si Ministri Drejtësie dhe si Shërbim Penitenciar sigurojmë që ato masa të mundet të zbatohen brenda institucioneve tona duke zbatuar të drejtat e njeriut. Është e vërtetë vëzhgimi juaj, pra popullsia e të paraburgosurve madje është më e lartë se e të dënuarve sot në sistem. Për këtë ka dhe një raport të Këshillit të Europës. Por unë besoj këto janë masa që do të adresohen si nga vetë gjyqësori, si për shembull siç është vendimi i unifikuar i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i cili detyron të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë që të arsyetojnë pse masat e tjera nuk janë të përshtatshme, pra janë të papërshtatshme, siç tha edhe zonja, derisa shkohet tek masa e arrestit dhe se vetëm ajo, në rastin konkret, për personin konkret, për veprën konkrete, është më e përshtatshme. Pra, kjo duhet të arsyetohet në vendimet gjyqësore.
Nga ana tjetër, ne duhet si Ministri e Drejtësisë po punojmë që edhe mbikëqyrja elektronike të jetë së shpejti një opsion për gjyqësorin shqiptar që të mundet ta caktojë si një nga masat e veta.
Pyetjes sa i përket të dënuarve VIP, ka pasur shpeshherë pretendime nga ish-kolegët tuaj në fakt që janë në qeli, kryeparlamentari Meta e të tjerë, që keqtrajtohen, kryhen kontrolle të pazakonta në orë jo të sakta. Çfarë ndodh realisht?”
Ministri përgjigjet:-E drejta e ankesës është një e drejtë kushtetuese për secilin banor të institucioneve tona të ekzekutimit të vendimeve penale. Ndërkohë që detyrimi ynë dhe i gjithë sistemit penitenciar, së bashku me atë të monitorimit dhe të mbikëqyrjes së sistemit penitencia pra, një rol që e luan agjencia tashmë tërësisht e pavarur është aty për të siguruar që në çdo rast respektohen të drejtat e njeriut. Dhe atje ku ato shkelen, patjetër që merren masat e domosdoshme.

