Rreth orës 15:00, një 17-vjeçare është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, pasi dyshohet se ka konsumuar një dozë të lartë ilaçesh në banesën e saj.
Sipas informacioneve paraprake, e mitura është gjetur nga familjarët në lagjen 18 dhe është transportuar menjëherë drejt urgjencës për të marrë ndihmën mjekësore. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dyshohet për një tentativë vetëdëmtimi, ndërsa rrethanat e plota mbeten ende të paqarta.
Aktualisht, mjekët po punojnë për stabilizimin e gjendjes së saj shëndetësore, ndërsa shërbimet e Policisë ndodhen në spital për të kryer veprimet procedurale dhe për të sqaruar shkaqet që çuan në këtë ngjarje.

