Disa bujtina të mbyllura, të tjera me dyer hapur, por pa vizitorë. Kjo është panorama e trishtë e Voskopojës këtë të enjte. Prej afro një jave, Voskopoja dhe fshatrat turistikë të juglindjes po përjetojnë një zbrazëti të pazakontë për këtë periudhë të vitit. Shkak është bërë bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, i cili ka izoluar juglindjen, duke dëmtuar rëndë turizmin. Rruga alternative Maliq – Gramsh frekuentohet vetëm nga vendasit dhe jo nga turistët për shkak të distancës së gjatë.
Që në ditët e para të bllokimit, sipas operatorëve turistikë, 70–80 për qind e rezervimeve u anuluan menjëherë. Tashmë vizitorët janë të rrallë, ndërsa rrugët e Voskopojës pothuajse të boshatisura. Bujtina dhe hotelet po përballen me vështirësi serioze financiare, pasi kostot e personelit dhe shpenzimet mbeten të pandryshuara, pavarësisht mungesës së të ardhurave.Operatorët turistikë shpresojnë në një zgjidhje të shpejtë të situatës, pasi çdo ditë vonesë përkthehet në humbje të mëdha.Ndryshe nga vitet e tjera, kur ditët para festës së 7 Marsit e gjenin Korçën dhe zonat përreth me rezervime të shumta, këtë vit kërkesat janë minimale. Efektet negative janë ndier si në Korçë, ashtu dhe në qytetin liqenor të Pogradecit.
Me afro 6 mijë shtretër në strukturat akomoduese, gjatë festive të fundvitit Korça pati një ‘boom’ turistësh. Sipas llogaritjeve, ata kanë shpenzuar rreth 2 milionë euro, por duke përfshirë restorantet, hotelet, bujtinat, etj.

