Roland Mecaj prezantohet në krye të AKVMB-së, theksi te reformat dhe përafrimi me standardet e BE-së
Në një takim zyrtar u prezantua Drejtori i ri i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), z. Roland Mecaj. Gjatë prezantimit, ai theksoi rëndësinë e menaxhimit efikas të institucionit dhe vijimësinë e reformave të nisura, me fokus të qartë në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian.
Sipas njoftimit, prioritet absolut mbetet përafrimi i plotë me acquis të Bashkimit Europian dhe realizimi i objektivave të Kapitullit 12, që lidhet me sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare. Ky kapitull konsiderohet thelbësor në kuadër të negociatave, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në shëndetin publik, standardet e prodhimit dhe tregtinë bujqësore.
Në vijim të misionit të tij, AKVMB do të vazhdojë garantimin e shërbimit veterinar për kafshët, kontrollin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e bimëve, duke bashkëpunuar ngushtë me fermerët dhe blegtorët për të siguruar përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Gjatë aktivitetit u shpreh mirënjohje edhe për z. Sulejman Kullolli, për kontributin dhe angazhimin e dhënë gjatë ushtrimit të detyrës në drejtimin e institucionit.

