Qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor Maliq–Lozhan–Strelcë po kryhet aktualisht me një sens, për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga rrëshqitjet masive të dherave. Në zonën e prekur po punohet për pastrimin e materialeve inerte dhe për stabilizimin e segmentit, me qëllim rikthimin e plotë të sigurisë dhe normalizimin e trafikut.
Ngjarja është regjistruar pasditen e së dielës, në kilometrin e 13-të, pranë urës së Qenckës, ku barriera mbrojtëse ka pësuar dëmtime të rënda, duke rënë mbi trupin e rrugës dhe duke krijuar rrezik për drejtuesit e automjeteve.
Ky aks u prezantua si një investim strategjik që lidh Maliq me Gramsh dhe zonat përreth. Megjithatë, kjo është hera e dytë që në këtë segment shfaqen probleme të ngjashme, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve të kryera.
Segmenti ka një gjatësi prej 18.8 kilometrash dhe rikonstruksioni i tij është financuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me një fond prej rreth 1.4 miliardë lekësh.

