Maliq, reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje masive në sipërfaqe bujqësore
Fusha bujqësore e Maliqit është përfshirë nga përmbytje të mëdha pas motit të keq që ka goditur juglindjen e vendit. Lumenjtë Dunavec dhe Devoll kanë pësuar rritje të ndjeshme të prurjeve, duke shkaktuar daljen e tyre nga shtrati dhe përmbytjen e tokave përreth.
Fermeri Agron Guri bën të ditur se situata ka sjellë dëme serioze për ekonominë e tij familjare. Sipas tij, 7 hektarë të mbjellë me patate janë zhytur nën ujë, ndërsa 8 hektarë me grurë ndodhen në prag përmbytjeje.
Ndërkohë, edhe fermeri Bashkim Guri përballet me pasoja të rënda. Ai thotë se 15 dynymët me misër janë dëmtuar totalisht nga uji.
Përmbytjet kanë shkaktuar shqetësim të madh në Maliq ndërsa banorët presin ndërhyrjen e autoriteteve për të vlerësuar dëmet dhe për të marrë masa për normalizimin e situatës.

