Mbi 45 pilotë nga nëntë shtete europiane janë bërë pjesë e kampionatit të 14-të të fluturimeve të lira “Korça Open Air 2025”, që këtë vit zhvillohet në aerodromin e ri të Lumalasit.
Ata garojnë për Trofeun “EXTRA Skënderbe”, duke e kthyer Korçën në një qendër të sporteve ajrore dhe turizmit të aventurës.
Sipas organizatorit Xhonatan Islami, rikthimi i garës në Korçë ka një rëndësi të veçantë, pasi qyteti ka qenë ndër të parët që ka promovuar sportet e natyrës që në fillim të viteve 2000.
Ndërtimi i aerodromit dhe terminalit sportiv ka sjellë një dimension të ri, duke e bërë garën më të organizuar dhe pjesëmarrjen më të gjerë.
Risi e këtij edicioni është aeromodelingu për fëmijët, që synon t’i afrojë të vegjlit me botën e fluturimeve përmes lojës dhe ndërtimit të avionëve të vegjël.
Sipas Alket Islamit, infrastruktura e re dhe pjesëmarrja e pilotëve më të mirë europianë nga Sllovenia, Anglia, Bullgaria e Kosova e vendosin Korçën në hartën e garave ndërkombëtare, me potencial për të pritur edhe kampionate botërore.
Këtë vit, garat zhvillohen me ngritje veriçel, që siguron startime më të koordinuara dhe një nivel më të lartë profesionalizmi.

