11.2 C
Pogradec
11.3 C
Korçë
10.7 C
Bilisht
10.1 C
Ersekë
10.4 C
Maliq
11.6 C
Liqenas
Wednesday, May 6, 2026

Investigim/ Kush dhe pse u porositën kamerat në Tushemisht, 3000 mijë euro një kamer…

- Advertisement -

Tushemishti, një prej zonave turistike më të frekuentuara të liqenit të Pogradecit, është shndërruar muajt e fundit në një shëtitore moderne, të rrethuar nga dhjetëra kamera inteligjente, ndriçues SMART, altoparlantë dhe shpërndarës interneti. Projekti, pjesë e programit “Waterscape Park Design – Touristic Enhancement of Drilon Spring Area in Tushemisht”, është fryt i një bashkëpunimi ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Bashkisë Pogradec dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me zbatues në terren kompaninë “Alb-Star” sh.p.k.

Por, ndërsa në dokumente ky investim paraqitet si një hap drejt dixhitalizimit të hapësirave publike dhe rritjes së sigurisë turistike, në terren pamja është ndryshe. Në orët e mbrëmjes, vetëm një ose dy kamera ndizen, ndërsa pjesa tjetër qëndron në errësirë një tablo që ngre më shumë pyetje sesa përgjigje. Banorët dhe vizitorët e shohin këtë investim si një pamje moderne, por pa funksion të dukshëm.

Sipas informacionit zyrtar të marrë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përgjatë shëtitores 1.2 kilometra të gjatë janë vendosur 58 shtylla ndriçimi multifunksionale, me distancë 20 metra nga njëra-tjetra. Çdo shtyllë është e pajisur me ndriçues LED tip SMART, kamera sigurie, sensorë lëvizjeje, altoparlantë dhe pajisje për shpërndarje interneti Wi-Fi. Çmimi për një shtyllë të kompletuar është 250.000 lekë pa TVSH, që me përfshirjen e taksës arrin në 300.000 lekë për njësi, ose rreth 2.850 euro. Kjo e çon vlerën totale të rrjetit të 58 shtyllave në mbi 17.4 milionë lekë, rreth 175 mijë euro, një shumë e konsiderueshme për një segment shëtitoreje. Ky investim sipas FSHZH është kërkuar dhe porositur nga Bashkia e Pogradecit.

Këto pajisje janë instaluar sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa infrastruktura qendrore, serverët dhe lidhjet elektrike janë vendosur në Qendrën e Vizitorëve, pjesë e projektit të financuar nga AADF. Por, sipas përgjigjes zyrtare të FSHZH-së, sistemi nuk është ende funksional. Aktualisht, investimi që përfshin ndërhyrjet në shëtitore dhe pajisjet teknologjike ndodhet në procesin e testimit dhe kolaudimit, duke përfshirë kamerat dhe serverët, të cilat nuk janë ende në funksion regjistrimi apo operimi.

Në përkthim të thjeshtë, kjo do të thotë se kamerat e Tushemishtit ekzistojnë vetëm fizikisht, por nuk janë të lidhura me asnjë sistem monitorimi. Gjithashtu, nuk ekziston ende një sallë kontrolli lokale për menaxhimin e pamjeve, gjë që nënkupton se as Bashkia Pogradec, as ndonjë institucion tjetër nuk ka aktualisht qasje në sistemin e tyre. Në mungesë të funksionit praktik, banorët dhe vizitorët pyesin se për çfarë shërben ky investim, që më shumë se siguri, sot ofron vetëm një dekor modern me drita të fikura.

Vendosja e një shtylle çdo 20 metra përgjatë një rruge 1.2 km është konsideruar nga ekspertë të sigurisë si një dendësi e pazakontë, që zakonisht përdoret vetëm në ambiente me fluks të lartë njerëzish dhe mbikëqyrje strategjike. Megjithatë, pa një qendër operative dhe pa sinjal aktiv, dendësia e pajisjeve inteligjente mbetet vetëm statistikë, ndërsa qytetarët pyesin me të drejtë nëse kamerat janë instaluar për siguri apo për propagandë. “Në darkë vetëm një ndriçues ndizet. Të tjerat janë të fikura. Nëse kjo është siguri, atëherë jemi në errësirë të plotë,”shprehet një banor i zonës për PogradeciPress.

Sipas FSHZH, pas përfundimit të kolaudimit, projekti do t’i dorëzohet Bashkisë Pogradec, e cila do të marrë në administrim shëtitoren, pajisjet dhe serverët. Por ende nuk është bërë e qartë nëse bashkia ka personel, infrastrukturë dhe buxhet për mirëmbajtjen e sistemit, apo nëse administrimi do t’i kalojë një entiteti të përbashkët me AADF, siç është parashikuar për Parkun Ujor Drilon–Tushemisht. Kjo paqartësi shton hijet e dyshimit mbi qëndrueshmërinë e investimit dhe rrezikun që një projekt prej qindra mijëra eurosh të mbetet thjesht “i fikur” në terren.

Në letër, Tushemishti është shembulli i transformimit turistik modern një shëtitore me ndriçim inteligjent, kamera sigurie, Wi-Fi publik dhe hapësira pushimi. Në realitet, është një investim i shtrenjtë, pa kontroll aktiv, pa transparencë mbi mirëmbajtjen dhe me pajisje që ende nuk funksionojnë. Një projekt që, në vend që të ndriçojë shëtitoren, për momentin ndriçon hijet e dyshimit për mënyrën si përdoren dhe administrohen fondet publike në emër të “teknologjisë moderne”.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit