Pas shqetësimeve të ngritura ditët e fundit për grumbullimin e leshterikëve në bregun e liqenit, Bashkia Pogradec ka vijuar me ndërhyrjet për pastrimin e vijës ujore. Kryebashkiaku Ilir Xhakolli ka bërë të ditur përmes një njoftimi se ekipet e ndërmarrjes së pastrimit po punojnë me mjete mekanike për të larguar sasinë e madhe të algave të krijuara javët e fundit.
Procesi ka përfshirë segmentet më problematike të bregut, ku algat kishin krijuar jo vetëm një pamje të rënduar, por edhe shqetësime për qytetarët dhe vizitorët.
Sipas njoftimit, pritet që punimet të vijojnë edhe në ditët e ardhshme për të rikthyer pastërtinë përgjatë vijës bregliqenore, veçanërisht në zonat më të frekuentuara nga qytetarët.

