Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje. Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje grave dhe vajzave që të kujdesen për veten duke bërë mamografinë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i qeverisë u bën apel që të kryejnë kontrollet mjekësore për të parandaluar këtë sëmundje. Për të gjitha gratë dhe vajzat që ende s’kanë bërë një mamografi, tashmë atë mund ta bëjnë falas në spitalin rajonal në vendbanimin në të cilin ato jetojnë. Edhe presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për parandalimit e kësaj sëmundjeje. Në mbarë botën, kanceri është një nga tre shkaqet më të shpeshta të vdekjes së parakohshme tek gratë nën moshën 70 vjeç ndaj qëllimi i kryerjes së analizave është parandalimi i hershëm i sëmundjes dhe për rritja e mundësive për një shërim të plotë të gruas.

