Mbyllet me sukses edicioni i 11-të i Simpoziumit Ndërkombëtar “Skulptura e Parkut” në Korçë.
Ky aktivitet i përvitshëm, tashmë i kthyer në një traditë kulturore, solli në qytet pesë artistë nga Austria, Sllovenia, Italia, Kosova dhe India, të cilët për disa ditë punuan e krijuan në hapësirën e Parkut Rinia.
Skulpturat e tyre, të realizuara me pasion, profesionalizëm dhe frymëzim, u shtohen koleksionit të veprave ekzistuese, duke e pasuruar më tej këtë galeri të hapur në natyrë që është bërë një prej pikave më të vizituara të qytetit.
Edicioni i këtij viti dëshmoi edhe një herë se arti bashkon kultura, tejkalon kufij dhe krijon ura komunikimi mes njerëzve. Veprat e dhuruara Korçës janë një trashëgimi e çmuar për komunitetin, duke i dhënë parkut një identitet të veçantë dhe duke e bërë qytetin edhe më tërheqës për vizitorët.
Një falënderim i veçantë shkon për artistët pjesëmarrës, për shpirtin krijues dhe energjinë që sollën në Korçë, duke e bërë qytetin edhe më të pasur artistikisht.

