Korçë – Burime bëjnë me dije se gjatë një kontrolli të ushtruar rreth një javë më parë në IEVP Drenovë, në godinën B të paraburgimit, është zbuluar një sasi e vogël lënde narkotike, e dyshuar si cannabis sativa.
Nga verifikimet, është konstatuar gjithashtu një telefon celular në dhomën e një të dënuari me inicialet Xh. L., i vendosur në siguri të lartë. Dyshohet se aparati celular i përket të dënuarit Laert Haxhiu.
Droga dhe telefoni janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekspertimit për të zbardhur nëse aparati është përdorur për komunikime dhe për të konfirmuar nëse i përket Haxhiut.
Ky nuk është rasti i parë, pasi edhe në muajin qershor, në të njëjtin burg, u sekuestruan katër telefona që i përkisnin të dënuarit në fjalë.
Hetimet vijojnë nga Prokuroria për të zbuluar rrethanat e plota të ngjarjes dhe personat e përfshirë në futjen e lëndës narkotike dhe të telefonit në IEVP Drenovë.

