Edhe pse në vend sipërfaqja totale e mbjellë me misër ishte rreth 5% më shumë se vitin e kaluar, për shkak të faktorëve të jashtëm prodhimi ra me rreth 20%. Sipas të dhënave, vendi ynë prodhon rreth 310 mijë ton misër, ndërkohë që nevojat shkojnë mbi 410 mijë ton.
Viti duket se është i mbarë për fitimet e fermerëve.
Misri i prodhuar brenda vendit ka të paktën 2% më shumë proteinë se ai i importuar, çka përkthehet në cilësi më të mirë të mishit dhe vezëve për çdo ton misri. Mungesa e misrit në treg dhe importi i produktit nga jashtë pritet të ndikojnë negativisht te sipërmarrjet e mëdha, duke bërë që qytetarët të jenë ata që do të paguajnë më shumë për produktet dhe nënproduktet blegtorale si mishi, bulmeti dhe vezët.
Zëvendësministri i Bujqësisë, i pyetur për mbetjen stok të drithërave, u shpreh se tregu është çështje kërkese dhe oferte dhe se fermerët duhet t’i përshtaten tij.
Qendra e Transferimit të Teknologjive në Shkodër zhvillon prej disa vitesh në zonën e Maliqit parcela eksperimentale misri, si një mënyrë për të orientuar fermerët drejt kulturave që japin më shumë prodhim.

