Një 44-vjeçare është vënë nën hetim nga Policia e Pogradecit, pasi akuzohet se ka dëmtuar disa elementë të shëtitores së qytetit. Ngjarja është regjistruar së fundmi në hapësirën publike buzë liqenit, ku sipas burimeve zyrtare, shtetasja ka shkaktuar dëme në disa stola dhe karrige, duke prishur ambientin e përbashkët që shërben për pushimin dhe relaksimin e qytetarëve.
Policia thekson se materialet e rastit janë referuar në Prokurori dhe ndaj saj ka nisur procedimi penal, me akuzën e “Shkatërrimit të pronës”. Rasti ka shkaktuar reagime edhe nga qytetarët, të cilët prej kohësh ankohen për dëmtime të vazhdueshme të infrastrukturës publike në shëtitore, që shpesh herë mbetet pa mirëmbajtje për shkak të akteve të tilla vandalizmi.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për V. B., 44 vjeçe, banuese në Pogradec, pasi ka dëmtuar disa stola dhe karrige në shëtitoren e qytetit.”

