Qyteti i liqenit është kthyer për të 15-in vit radhazi në skenën kryesore të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë. Aktiviteti zhvillohet nga 16 deri më 20 shtator dhe sjell për publikun mbi 50 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit, të cilët do të shfaqen në dy ambiente të posaçme, falas për artdashësit.
Ideatorët e festivalit, Eno Melkani dhe Gerta Qurku, ndalën tek rrugëtimi i gjatë i këtij aktiviteti kulturor, që gjatë viteve është shndërruar në një prej simboleve të Pogradecit.
Në retrospektivë, edicioni i këtij viti vjen edhe me kujtimin e figurave të shquara që nuk jetojnë më, mes tyre edhe një nga themeluesit e festivalit, Fatos Baxhaku.
Mbrëmja e parë u mbyll me performancën e grupit Niki’band, pas shfaqjes së filmit bullgar “Because I love bad weather”. Atmosfera u gjallërua më tej nga solisti Niki Zaimi, i cili ndau emocionet e këtij momenti të veçantë.
Festivali do të zgjasë katër netë me radhë në Pogradec, ku përveç filmave të huaj do të konkurrojnë edhe krijime nga autorë shqiptarë.

