Pas pesë netësh të mbushura me kinematografi nga mbarë bota, KO:SH Film Festival uli siparin e edicionit të 12-të në qytetin e Korçës. Nën temën “Zhvendosja”, festivali solli 81 filma nga 41 vende, duke ofruar reflektim mbi një nga çështjet më të ndjeshme të kohës sonë: migrimin, humbjen dhe kërkimin e një vendi të ri.
Në mbrëmjen përmbyllëse, e cila u zhvillua në Kinema Majestic, u ndanë çmimet për kategoritë konkurruese. Publiku i Korçës zgjodhi si më të dashur filmin “The Day She Will Be Born” të regjisorit Emil Spahisky, një bashkëprodhim bullgaro-rumun që u shpërblye me Çmimin e Publikut.
Bogdan Murseanu, bashkëproducent i filmit, u shpreh i surprizuar dhe i emocionuar nga vlerësimi: “Është një film i trishtuar, për një personazh me dimension të veçantë. Nuk e prisnim që një temë kaq delikate të prekte kaq fort publikun. Por në fund të fundit, filmat bëhen për publikun, dhe ky çmim është një dëshmi e mrekullueshme e lidhjes së tij me audiencën.”
Organizatorët nënvizuan se edicioni i sivjetëm solli disa risi të rëndësishme: ndarjen e garës studentore nga ajo profesionale, futjen e një kategorie të re për filmin eksperimental, si dhe pasurimin e programit për fëmijë, që përfshiu shfaqje, punëtori dhe masterklasa për brezat e rinj. “KO:SH tashmë është konsoliduar si një pikë referimi për kinemanë e shkurtër në rajon, duke tërhequr çdo vit emra të rinj e profesionistë të njohur”, u shpreh drejtori i festivalit, Gledis Bica. Edhe anëtarët e jurisë, mes tyre Umut Can Turkmen dhe Blerim Gjinovci, vlerësuan cilësinë e lartë të filmave dhe organizimin e festivalit.
Pjesëmarrësit e huaj e përshkruan Korçën si një qytet të ngrohtë dhe mikpritës. Përfaqësues nga festivale të tjera ndërkombëtare, mes tyre koordinatorë dhe programues nga Izmir Short Film Festival, e cilësuan KO:SH një platformë serioze që po fiton gjithnjë e më shumë reputacion. “Korça është një qytet i mrekullueshëm dhe publiku ka reaguar shumë mirë ndaj filmave. Gladysi dhe ekipi i tij po bëjnë një punë të shkëlqyer për të sjellë kinema cilësore, dhe ky festival ka një rrugë të gjatë përpara,” u shpreh një nga të ftuarit ndërkombëtarë.
Me një pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare dhe aktivitete kulturore në Kinema Majestic, Galerinë e Arteve Digjitale, Bibliotekën dhe Qendrën Rinore të Korçës, edicioni i 12-të i KO:SH Film Festival u konsiderua një sukses i plotë. Ai e forcoi edhe më tej pozicionin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në Shqipëri dhe rajon, duke sjellë jo vetëm filma, por edhe dialog kulturor, ide të reja dhe shpresën për një të ardhme ku Korça të kthehet në një kryeqendër të filmit të shkurtër.

