Dy ngjarje të njëpasnjëshme në Korçë kanë tronditur opinionin publik ditëve të fundit.
Dy persona të moshuar, që jetonin të vetmuar, u gjetën të vdekur në banesat e tyre nga policia.
Njëri prej tyre, një 60-vjeçar, dyshohet se kishte ndërruar jetë që në muajin dhjetor, por trupi i tij u zbulua vetëm kohët e fundit. Pak ditë më pas, u evidentua edhe rasti i një 70-vjeçari.
Dy jetë të humbura me histori të ndryshme por që i bashkoi i njëjti fat.
Këto ngjarje kanë ngritur shqetësim të madh, duke rikthyer në vëmendje një problem të thellë shoqëror,vetminë e të moshuarve.
Ajo lidhet me emigracionin e brezave të rinj, braktisjen dhe mungesën e një mbështetjeje të mjaftueshme institucionale.
Në qarkun e Korçës funksionon një qendër për të moshuarit, ku çdo vit shtohen aplikimet për strehim. Shumë prej tyre bëhen nga fëmijë që jetojnë jashtë dhe nuk kanë mundësi të kujdesen për prindërit e tyre.
Kapaciteti i kësaj shtëpie është vetëm 31 persona, një shifër tepër e vogël përballë numrit të madh të të moshuarve që përballen çdo ditë me vetminë.
Këto raste janë një sinjal i fortë paralajmërues për institucionet, të cilat duhet të marrin më shumë përgjegjësi për identifikimin dhe ndihmën ndaj të moshuarve në nevojë.

