Flet shoku i fëmijërisë së Petro Seferit, 60-vjeçarit që u gjend një ditë më parë i dekompozuar në banesën e tij në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës.
Admir Sulejmani: – Jam rritur me atë. Nga varfëria vdiq Petrika, nuk e trajtonte shteti. Tani kohëve të fundit i dhanë një kemp, edhe siç e pësoi. Ishte i sëmurë, me tension, me zemër, s’kishte mundësi financiare. Gruaja i kishte ikur, me gjithë fëmijët i kishte ikur. Gruan nuk e kishte, nuk ia kishim parë ndonjëherë fëmijët. Ai dilte nga shtëpia, vinte këtu, pinte cigare, kërkonte, s’kishte… E takonim, me ne rrinte. Ja ku rri, me shtëpi këtu te ky pallati. Kam kohë pa e parë, ne e dinim se ishte jashtë shtetit, mos e kishin marrë fëmijët apo i vëllai. Ja vetëm këtu dilte, nuk kishte fuqi, kishte rënë nga morali, nga çdo gjë.
Me ne nuk kishte mundësi të dilte për asgjë. Nuk ka shtet këtu, komunë apo çfarë ka, ata vetëm marrin rrogën, nuk interesoheshin se ku është ky person, kur tërhiqte kempin apo çfarë i jepnin. Nuk i dilte as leku, asgjë. Këto kohët e fundit më duket se i dhanë kemp. Larë, pa larë, a kishte të paguante ujë, drita… Ai edhe për të folur nuk fliste dot, nuk i shqiptonte dot fjalët ngaqë ishte i sëmurë. Atij i rrinin duart të mavijosura, buzët, se ishte i sëmurë. Nuk kishte mundësi. Vetë jetonte. Babai, nëna i kishin vdekur, gruaja i iku me gjithë çupë e djalë. Një vëlla që kishte, as nuk e kemi parë.
Për marrëdhënien me fëmijët nuk të shpjegonte gjë, se ishte tip shumë i mbyllur, nuk i kuptoje fjalët që fliste. Asnjeri nuk i hynte e i dilte. Kishte mbetur i vetmuar fare. Ai ka edhe një motër. Të afërm ka plot, se ai ishte nipi i Rita Markos që ka qenë në qeverinë e Enver Hoxhës. Kanë qenë njerëz me pozitë. Ka vilë me tre kate. Iku i varfër, pa njeri. E gjetën kockë e lëkurë, të kalbur.
Ne nuk dimë as kur iu bë ceremonia e varrimit, as ku e shpunë, asgjë. Atë nuk e nxirrnin dot, se kishte mbetur vetëm kocka. Krimba kishte zënë. Tetë muaj, llogarit, njeriu brenda 24 orëve shpërfytyrohet. Ne nuk e pamë ndonjëherë me telefon atë, ai ishte shumë i varfër.

