Për vitin e dytë rradhazi është mbajtur festa e koranit në qytetin e Pogradecit. Kjo specie endemike e rrallë, e konsideruar ndryshe si mbreti i liqenit të Ohrit, është pjata kryesore për vizitorët dhe turistët. Në festën e dedikuar Koranit u zhvilluan një sërë aktivitetesh të ndryshme, ku përfshiheshin ekspozitat fotografike të peshkimit ndër vite në Pogradec, pjatat dhe specialitetet e gatimit të koranit, hedhja e rasatit të koranit në liqen dhe një koncert festiv.
Kryebashkiaku pogradecar Ilir Xhakolli tha se festa e koranit tashmë është kthyer në një traditë në Pogradec, ndërsa vitin e ardhshëm do t’i shtohet kësaj feste edhe krapi, për të cilin po ndërtohet një pikë ku do të shtohet rasati i tij.
Për Prefektin e Qarkut Nertil Jole, kjo specie duhet të ketë një vëmendje të veçantë, për vlerat mjedisore por edhe turistike të qytetit, i cili tashmë ka fituar vëmendjen e turistëve dhe është kthyer në një portë hyrëse në rajonin e Korçës.
Afro 2 milion rasat do të hidhen vetëm këtë vit në Pogradec, duke shënuar kështu numrin rekord më të lartë ndonjëherë, ose më tepër se 200 mijë krahasuar me vitin e shkuar. Shtimi i koranit në mënyrë të kontrolluar krijon një garanci për mbrojtjen e kësaj specie të rrallë, ku vetë peshkatarët kryejnë mbledhjen e vezëve, të cilat trajtohen dhe më pas rikthehen në liqen në formën e rasatit.
Për restorantet, korani është pjata kryesore, por ata shohin problem rritjen e çmimit të tij me shumicë nga ana e peshkatarëve. Sipas tyre, një kilogram koran me shumicë tregtohet 4500 lekë të rinj, ndërsa në treg gjendet gjithnjë e më pak. Kjo situatë lidhet me kërkesën e lartë dhe temperaturat e nxehta, të cilat bëjnë që korani të hyjë në thellësi të liqenit, aty ku janë ujërat më të freskët.
Për shefin e njohur të kuzhinës Erton Yzo, pogradecarët e gatuajnë në mënyrë të jashtëzakonshme koranin, ndërsa ky peshk tashmë është pjesë e historisë së qytetit, i cili është gatuar brez pas brezi.
Festa e koranit është një ndër eventet më të rëndësishme që zhvillohet prej dy vitesh në qytetin e Pogradecit. Një festë që mbledh vizitorë dhe vendas të ndryshëm, që shijojnë kuzhinën dhe bëhen pjesë e aktiviteteve të shumta të kësaj dite.

