Një rast i dyshuar abuzimi seksual brenda familjes është referuar së fundmi nga Policia e Maliqit në Prokurorinë e Korçës, për vlerësim dhe veprime të mëtejshme hetimore.
Sipas të dhënave zyrtare, një 30-vjeçare, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ka kallëzuar vjehrrin e saj, duke pretenduar se është abuzuar seksualisht nga ai, dy muaj më parë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e bashkisë Maliq, ndërsa emrat e përfshirë nuk bëhen publikë për arsye hetimi dhe mbrojtjeje të identitetit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq kanë referuar menjëherë materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ku po kryhen verifikimet dhe priten aktet mjeko-ligjore e hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe besueshmërinë e kallëzimit.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se rasti po trajtohet me kujdes të shtuar për shkak të ndjeshmërisë së veçantë sociale dhe të gjendjes shëndetësore të kallëzueses.

