Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë Korçë:
“Bashkia e Korçës ka nisur aksionin e lirimit të hapësirave publike në qytet, në vijim edhe të aksionit kombëtar. Ky aksion do të prekë hapësirat publike që janë zënë nga bizneset, si dhe hapësirat publike që rrethojnë pallatet. Dje kam pasur një takim me bizneset të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e pedonales, e cila preket nga ky projekt, ku i kam informuar për standardet e reja të trajtimit të hapësirës publike.
Aspekti i parë janë elementët e mobilimit urban që do të lejohet të vendosen në këtë hapësirë publike, të cilët do të jenë vetëm çadra, karrige dhe tavolina, duke hequr të gjithë elementët e tjerë si pedanat, ndarjet anësore apo vazo rreth e përqark bizneseve. Elementi i dytë është madhësia e hapësirës publike që do t’u vihet në dispozicion bizneseve, për të respektuar raportin 25% për bizneset dhe 75% në dispozicion të kalimtarëve.”
“Diskutimi i djeshëm me bizneset u trajtua nga ana ime si një diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj dhe të pranoj, deri në një masë të caktuar, shqetësimet reale të bizneseve. Shqetësimi ka qenë që nuk arrijmë dot të prodhojmë çadrat për të kaluar nga tendat dhe kioskat. U është dhënë ky afat nga ana ime deri më 17 gusht, që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që të heqin të gjithë elementët e tjerë: pedanat, vazo, dhe të qëndrojnë tendat vetëm deri më 17 gusht, e më pas të zëvendësohen.”
“Brenda ditës së sotme do t’u vihet në dispozicion hapësira që ata do të mund të përdorin, duke respektuar raportin që thamë, si edhe u janë dhënë elementët e rinj të mobilimit urban: ngjyra e çadrës, lloji.”
“Kam bërë një kronologji të ecurisë së zonës pedonale, që nga momenti kur ky investim është bërë nga Bashkia. Ky aks është transformuar nga një rrugë kalimi për makinat në një zonë pedonale. Situata atje ka qenë që fillimisht bizneset që u hapën të parat dhe operonin si bar-kafe, kanë qenë pikërisht në situatën që po kërkojmë tani. Pra, kanë pasur çadra dhe karrige, tavolina, dhe sidomos ajo pika kritike ka qenë fillimi i zbatimit të ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit brenda lokaleve – filloi krijimi i këtyre strukturave jashtë lokalit që morën pamjen e kioskave.
E vërteta është që unë si kryetar bashkie – dhe këtë besoj duhet ta dëshmojnë pjesa më e madhe e bizneseve – nuk i kam inkurajuar asnjëherë që të bëjnë këtë lloj ndërhyrjeje, madje ka një periudhë disa vjeçare që i kam informuar se janë në një drejtim jo të duhur dhe se këtu do të duhet të bëhet një projekt për ta rikthyer zonën pedonale ashtu si ka qenë më parë. Një pjesë e bizneseve nuk janë lejuar t’i vendosin këto struktura, por kanë vazhduar me çadra, karrige dhe tavolina. Një pjesë tjetër janë lejuar, por gjithnjë kam thënë vetë se në momentin që do të ketë një projekt nga ana e Bashkisë, ne jemi të gatshëm t’i heqim vullnetarisht këto struktura.
Kjo është një hapësirë publike, e cila administrohet nga Bashkia dhe rregullat e shfrytëzimit të kësaj hapësire i vendos Bashkia. Kam qenë dhe jam i gatshëm – dje kam diskutuar dhe kam qenë i mirëkuptuar për ato pika që ishin shqetësim, si afati i ndërrimit të çadrave që do një kohë fizike për t’u prodhuar, por për pikat që janë abuzive, nuk kam qenë dhe nuk jam fare mirëkuptues.”

