Korçë – Një nga zërat më aktivë të opozitës së re në Këshillin Bashkiak të Korçës, Ismeralda Seidolli, ka shpallur dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike që mbante, përfshirë edhe mandatin si këshilltare bashkiake. Vendimi i saj është bërë publik përmes një letre të gjatë reflektimi, ku ndërthuret qartësia politike me ndjeshmërinë njerëzore, në një fjalor të rrallë për komunikimin publik të kësaj natyre.
Në letrën e saj, Seidolli flet për një vendim të thellë ndërgjegjeje dhe jo si pasojë e ndonjë përplasjeje të brendshme apo lëvizjeje të diktuar nga interesa të momentit. Ajo e cilëson dorëheqjen si “një formë e lartë rezistence” dhe “një akt dashurie për të vërtetën dhe idealin”, duke nënvizuar se largohet me kokën lart, pa iu larguar parimeve që e kanë udhëhequr.
Në rrëfimin e saj emocional, Seidolli falënderon disa prej figurave kyçe të Partisë së Lirisë, mes tyre Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Endrit Brahimllari, Gentian Çala dhe Lorenc Nako, duke e cilësuar angazhimin e saj politik si një rrugëtim të mbushur me besim, miqësi dhe sfida të përbashkëta.
Letra e saj ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku nuk kanë munguar as interpretimet politike për këtë lëvizje, në një kohë kur në qarkun e Korçës ka nisur një proces i qartë rikonfigurimi të administratës vendore dhe prurjes së emrave të rinj, shpesh nga prapavija politike.
Dorëheqja e Sejdollit vjen gjithashtu në një moment kur skena politike është e trazuar nga thirrja publike e Kryeministrit Rama për përfshirjen e figurave të së djathtës në administratë, përmes një politike të re “afrimi” që synon të tejkalojë kufijtë tradicionalë politikë. Në këtë kontekst, lind pyetja: A është dorëheqja e Sejdollit një akt personal, apo një lëvizje që i hap rrugë përfshirjes së saj në një tjetër format, ndoshta edhe në radhët e administratës së majtë vendore, që aktualisht ka nisur të përthithë figura nga opozita?
A do të rikthehet Ismeralda Seidolli në një tjetër rol publik? A do të mbetet besnike e opozitës apo do të jetë pjesë e afrimeve të reja në administratë? Koha do të japë përgjigje, por largimi i saj është pa dyshim një nga momentet më elokuente të verës politike në Korçë.
Reagimi i plotë
Te dashur qëndrestarë,
Këtë shkrim ja u dedikoj veçanërisht juve, që keni qenë shpirti i çdo fushate, himni i çdo beteje politike, zemra që ka rrahur fort për një ëndërr të përbashkët: një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme, më njerëzore.
Teksa shkruaj, ju gjej ende mes kujtimeve të mia, të lodhur, të vuajtur nga padrejtësitë, të lagur nga shiu, me ëndrra të ngrira e zemra të pushtuara nga shpresa. Ju shoh tek ngrini pankarta, tek shpërndani fletëpalosje, tek mbani premtimet që të tjerët i harruan sapo mbaroi duartrokitja. Dhe në këtë kujtim, unë gjej forcën për ta shkruar këtë letër sot.
Pas një reflektimi të gjatë, të heshtur, shpesh të dhimbshëm, kam marrë vendimin të dorëhiqem nga çdo pozicion politik që mbaj, përfshirë mandatin tim në Këshillin Bashkiak të Korçës.
Nuk është një akt zemërimi, por një akt dashurie. Dashurie për të vërtetën. Dashurie për idealin. Dashurie për ju.
Dorëheqja ime nuk është një hap pas, nuk është dorëzim, është një akt i thellë rezistence dhe ndërgjegjeje. Unë nuk largohem nga njerëzit që më kanë besuar, as nga fjala që kam dhënë me zemër. Unë zgjedh të qëndroj besnike ndaj vetes dhe parimeve që më kanë udhëhequr që në fillim. Largohem jo si një refuzim, por si një vazhdim i një rruge të sinqertë, për të mos humbur thelbin tim në zhurmën e ditës. Në një botë që shpesh kërkon zë të lartë për të dëgjuar të vërtetën, unë zgjedh të flas me qetësinë e ndërgjegjes sime. Dhe largohem me kokën lart, sepse besoj se vetë dinjiteti është forma më e lartë e qëndresës.
Vendimi im për t’u tërhequr nuk buron nga ndonjë përplasje e brendshme, as nga tundimi i ndonjë oferte jashtë kësaj force politike, e aq më pak nga një pakënaqësi e përkohshme. Ai është fryt i një reflektimi të gjatë, të heshtur dhe racional, një akt ndërgjegjeje që pranon me qetësi se çdo kapitull, sado domethënës, ka një kufi natyror përmbylljeje që duhet nderuar me maturi dhe dinjitet. Në thelb, ky nuk është një largim, por një formë e lartë e respektit: ndaj rrugëtimit të përbashkët, ndaj parimeve që na kanë bashkuar dhe ndaj vetë aktit të angazhimit publik, që kërkon ndershmëri edhe në tërheqje.
Dua të jem një zë që, edhe në mbyllje, flet me qartësi, pa frikë e pa justifikime, sepse e vërteta ka më shumë dinjitet kur thuhet me qetësinë e mendimit sesa me zhurmën e reagimit. Në momentet më të vështira nuk u tërhoqa, sepse gjithmonë kam besuar se besnikëria ndaj një ideali nuk matet me fitoret që arkivohen, por me qëndrueshmërinë përballë stuhive. Sot, kur shumëçka është konsoliduar dhe struktura politike ka fituar pjekuri të re, largohem jo për të mbyllur një boshllëk, por sepse e ndiej se prania ime nuk është më e domosdoshme.
Ka momente kur heshtja bëhet më elokuente se fjala, dhe tërheqja një formë e re e shërbimit. Dhe kur mirënjohja zë vendin e përballjes, e kupton se është koha për t’i lënë hapësirë frymës së re, për ta vijuar rrugën jo nga detyrimi, por nga vetë jeta e ideve, që kërkon gjithmonë të rigjenerohet përmes brezash e ndërgjegjesh të reja.
Kam hyrë në LSI dhe më pas në Partinë e Lirisë jo vetëm me një kartë anëtarësie, por me një zemër plot besim dhe me duar të gatshme për të dhënë. Dhe aty nuk gjeta thjesht një forcë politike, gjeta një shtëpi. Një vend ku njerëzit nuk lidhen vetëm nga ideologjitë, por nga buka që ndajnë në mes të natës, nga kafeja e parë e mëngjesit mes tensionit të fushatës, nga sytë që kuptojnë hallet pa pasur nevojë për shumë fjalë.
Nuk kemi ndarë vetëm kohën e angazhimit politik, kemi ndarë përpjekjet, sfidat, momentet e vështira dhe ato të shpresës. Kemi qëndruar bashkë në ditët më të ngarkuara, në betejat më të forta, në pritjet më të gjata. Aty ku fjalët ndonjëherë mungonin, kuptimi vinte nga vetë përkushtimi i përbashkët.
Kemi qenë një familje, jo nga gjaku, por nga zgjedhja. Dhe kjo është lidhja më e vërtetë që mund të ekzistojë mes njerëzve.
Në këtë udhëtim, kam pasur përkrah njerëz të jashtëzakonshëm.
Faleminderit Ilir Meta, që ma hape derën si një udhëheqës, që më dhe dorën dhe me ngrite lart në politikë, që më vlerësove përtej moshës, përtej paragjykimeve, përtej dyshimeve të botës.
Ti nuk më ofrove thjesht një rol politik, më dhe një besim që më ndryshoi jetën.
Më dhe zërin tim kur ende dridhej, dhe më mësove ta përdor pa frikë.
Më ndihmove të kuptoj se idealizmi nuk është një dobësi, por një armë e rrallë në politikë.
Nëse sot jam kjo që jam, një vajzë që flet, që guxon, që qëndron krenare, është sepse ti besove tek unë!
Kam qenë ndoshta e re, e panjohur, ndoshta naive në ëndrrat e mia, por ti nuk më kërkove të ndryshoja. Më le të jem vetja. Dhe kjo është dhurata më e madhe që dikush mund t’i bëjë një njeriu që kërkon vendin e vet në këtë botë.
Për këtë, mirënjohja ime do të jetë e përjetshme. Jo si detyrim politik. Por si një borxh që nuk kërkon kthim, por që më obligon të mbetem e drejtë, e ndershme dhe e vërtetë me veten time.
Faleminderit Monika Kryemadhi, në një kohë kur kërkoja modele që të më tregonin se është e mundur të mbetesh grua dhe të mos lëshosh asnjë betejë, ti ishe dhe mbetesh një nga më të rrallat.
Faleminderit Endrit Brahimllarit pavarësisht gjithçkaje që koha mund të ketë ndryshuar, unë e ruaj me zemër të kthjellët mirënjohjen për një nga fushatat më të bukura që kam përjetuar, një përvojë që nuk ishte thjesht betejë politike, por një shkollë jete për mua. Në atë çfarë unë jam sot, një meritë e ke padyshim edhe ti!
Faleminderit Gentian Çala, për çdo hap që ke bërë jo për vete, por për të tjerët.
Unë kam mësuar prej teje çfarë do të thotë të jesh i drejtë edhe kur askush nuk sheh, i përulur edhe kur ke të drejtën të ngresh zërin, dhe i fortë pa pasur nevojë të rrëzosh askënd.
Për mua, ti do të jesh gjithmonë një figurë frymëzuese, një busull morale. Ti ke merituar shumë më shumë ketë fushatë prandaj nëse nuk dhashë sa duhet, nëse nuk thashë aq sa duhej, të kërkoj ndjesë me zemër.
Faleminderit Lorenc Nako, për miqësinë e ndershme dhe për gjithë rrugëtimin politik që e kemi bërë krah për krah. Ka qenë një kënaqësi e rrallë të ndaj fushatat, sfidat dhe momentet më të bukura të këtij udhëtimi me ty me besim, me respekt dhe me një ndjesi njerëzore që i ka dhënë kuptim çdo dite. Nëse ndonjëherë kam munguar në fjalë apo vlerësim, të kërkoj ndjesë.
Por dua ta dish: ti ke qenë dhe mbetesh një zë i matur dhe një prani e domosdoshme në politikë. Prandaj, më shumë se një falënderim, sot dua të të them edhe një lutje të sinqertë:
vazhdoje këtë rrugë dhe pa mua. Sepse politika ka nevojë për njerëz si ty që nuk bëjnë zhurmë, por bëjnë punë; që nuk kërkojnë pushtet, por shërbejnë me dinjitet.
Të dashur bashkudhëtarë të këtij rrugëtimi,
Në këtë udhëtim të ngarkuar me sfida, ide dhe emocione,ju keni qenë mbështetja ime më e fortë, themeli i çdo veprimi të përgjegjshëm dhe i çdo arritjeje të përbashkët. Më keni qëndruar pranë jo vetëm si bashkëpunëtorë, por si bashkëbesimtarë në një ideal të përbashkët, të bëjmë politikën më njerëzore, më të drejtë, më të ndershme. Kontributi juaj ka qenë më shumë se detyrë, ka qenë dëshmi e besimit, e përkushtimit dhe e një ideali që i ka dhënë kuptim çdo dite. Në çdo sfidë kam ndjerë forcën tuaj morale, përgjegjshmërinë tuaj profesionale dhe ngrohtësinë njerëzore që e dallon një ekip të vërtetë nga çdo strukturë tjetër. Falë jush, kam ecur përpara me bindjen se nuk isha vetëm dhe kjo është një ndjesi që mbetet e paharruar.
Në zyrat e mbushura me zëra, në netët e vona të fushatave, në heshtjet e vështira pas një beteje të humbur, ju keni qenë aty, me durim, me pasion, me besim. Nuk do ta harroj kurrë atë frymë kolektive ku secili jepte më shumë sesa i kërkohej, ku përtej titujve dhe detyrave, ndanim një mision.
Kjo letër nuk është vetëm një përcjellje emocionesh. Është një përkulje përpara jush, përpara atyre që i dhanë kësaj rruge dinjitetin e punës së ndershme, dashurinë për të vërtetën dhe besnikërinë ndaj kauzës. Unë largohem nga funksioni, por nuk largohem nga ju, nga kujtimi i madh i një ekipi që ka ditur të ngrejë jo vetëm struktura, por edhe shpresë.
Në historinë time personale dhe profesionale, emrat tuaj nuk do jenë asnjëherë vetëm emra në një listë bashkëpunëtorësh. Do të jenë gurë kujtese, dëshmi e gjallë se edhe në politikë ka ende vende ku shpirti mbizotëron mbi interesin.
Ju përulem me mirënjohje.
Dhe po largohem jo për të mbyllur një faqe, por për ta ruajtur të paprishur bukurinë e saj…
E juaja Ismeralda Seidolli…

