Mbrëmjen e së shtunës, në Galerinë e Artit të qytetit të Pogradecit, u hap ekspozita “Nënqyteti”, e cila rizbulon shtresat e zbehura dhe vendet e harruara apo të ndryshuara të Pogradecit, që sot nuk gjenden më në hartën aktuale të qytetit.
Plot 31 vizatime, të mbështetura me fakte historike, u paraqitën për artdashësit pogradecarë dhe turistët.
Anastas Kostandini u shpreh se ekspozita është një himn për qytetin e dikurshëm, ndërsa vizatimet sjellin në fokus edhe identitetin kulturor të zonës.
Përveç ekspozitës në galeri, në 31 pika të ndryshme të qytetit janë vendosur kode QR, të cilët informojnë dhe njëkohësisht paraqesin, përmes pikturës dhe fotografisë së dikurshme, pamjen e qytetit në vitet e mëparshme.
Një nga vizitorët e ekspozitës ishte edhe regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj, i cili e cilësoi këtë ekspozitë si unike dhe të veçantë në llojin e saj, veçanërisht sa i përket punës së realizuar nga piktori Tasos.
Përveç pikturave, në ekspozitë u shfaqën edhe video arkivore të qytetit, materiale ndërtimore nga objektet e vjetra dhe një koleksion fotografish nga fillimi i shekullit të kaluar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për një javë.

