Rama dhe Zhukovët e tij.
Kryeministri mes gjithë llumit të korrupsionit që e ka mbuluar dhe baltës së zgjedhjeve të deformuara, në ditët e fundit, po i jep shqiptarëve në tepsi drejtorët e bashkive dhe kryetarët e njësive administrative.
Atij i duhet një alibi për keqqeverisjen, të cilën po e gjen te Zhukovët e Rilindjes.
Me arrogancë, me prepotencë, me një të rënë të lapsit u thotë “jepni dorëheqjen” duke i lënë popullit të uritur për jakobinizëm të mendojë se “këta janë problemi”. Zhukovët ulin kokën dhe i binden njëshit, sepse mosbindja ka pasojat e saj. Të poshtëruar dhe me mungesë të theksuar të respektit për veten, Zhukovët fillojnë e shkruajnë në të bardhë aktet e dorëheqjeve.
Në botën e qytetëruar kjo tingëllon si akti i një teatri absurd, me regji dhe skenar të njëshit absolut. Tashmë Shqipëria e braktisur në një masë të konsiderueshme nga populli i saj, në pamundësi për të vënë në lëvizje mekanizmat ripërtëritëse, po riciklon problemet. Problemi nuk janë vetëm Zhukovët, problemi është regjimi dhe drejtuesi i gjithëpushtetshëm i tij. Zhukovët ngjajnë vetëm si një fije sallate e mbetur në mes të dhëmbëve të pushtetit, kurse Ai po na e paraqet si të jenë kockë që ngelet në grykë.
Zhukovët janë po aq fajtorë sa ai që i ve dhe i heq, por në një regjim autokrat ka vend vetëm për një gjel në kotec. Zhukovët po e paguajnë të parët shërbimin e tyre ndaj pushtetit, sepse autokracia nuk është vetëm fatkeqësi e opozitës, por ajo është e të gjithëve. Gabimi i mbështetjes së pushtetit të njëshit absolut po sharron degët e tij.
Ndoshta ju bën të reflektoni!

